“Opozita duhet të bëhet gati, përditë do ketë prerje shiritash”
Opozita të bëhet gati pasi prerja e shiritave tani do të jetë e përditshme. Kështu i është përgjigjur dje Kryeministri Berisha nga Spilleja përfaqësuesve të opozitës lidhur me inaugurimet në vend. Kreu i qeverisë ishte dje në Spille, ku inauguroi nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Luz-Spille, me gjatësi 14 kilometra, e cila financohet nga buxheti i shtetit me një vlerë rreth 25 milionë lekë. Duke folur pas prerjes së shiritit kreu i qeverisë u shpreh se, “Ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente. Ndaj, ju siguroj se viti i ardhshëm do të jetë një vit investimesh të mëdha dhe vit transformimesh në rrugën tonë. Ndërsa opozitës, e cila i konsideron ofendime shiritat dhe inaugurimet, i them të bëhet gati se këto do t’i ketë të përditshme”. Sipas tij, “Pak ditë më parë dëgjova një nga zëdhënësit e ‘politikës së re’, i cili doli dhe tha se po ofendohen shqiptarët me inaugurimet. Më duhet t’i them këtij megafoni të prishur, se shqiptarët nuk ofendohen kurrsesi nga inaugurimet, por nderohen nëse taksat e tyre shndërrohen në rrugë, në shkolla, si dhe në rritjen e pensioneve dhe rrogave. Shqiptarët ofendohen nëse paratë e tyre avullojnë dhe përfundojnë në kontot bankare të qeveritarëve, ashtu si përfundonin tre apo katër vjet më parë”. Kreu i ekzekutivit u shpreh se përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës turistike në vend përbëjnë prioritet madhor për qeverinë, teksa shtoi se në një kohë rekord do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit. Duke folur për projektet për Kavajën, Kryeministri Berisha tha se edhe dy rrugë të tjera të këtij qyteti do të asfaltohen. “Në Kavajë janë dy rrugë të tjera për t’u asfaltuar, rruga e Vilboshtovës dhe rruga e Karpenit. Asfaltimi i rrugëve do të bëhet realitet për të gjitha komunat e vendit, komunat e Dajçit, Bushatit, Lezhës, Kurbinit, Shijakut, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, etj..”, u shpreh më tej kreu i ekzekutivit. o.u