Prifti: Qeveria, pazare të mbyllura për shitjen e OSSH
Deputeti i LSI-së dhe ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, akuzoi qeverinë për përfshirje korruptive në procedurat e shitjes së Divizionit të Shpërndarjes së KESH-it. Gjatë një konference për shtyp, Prifti tha se këtë gjë e vërteton më së miri garancia shtetërore për një kredi për Korporatën prej 40 milionë eurosh në prag të privatizimit të saj. “Javën e fundit ju jeni të njoftuar se qeveria ka marrë një kredi të re, pra ka ofruar garanci shtetërore për një kredi të re për Korporatën, prej 40 milionë eurosh. Por, siç dhe po e ndjeni përditë, Korporata ka filluar kufizimet e energjisë elektrike. Unë mund të pyes gjithë shqiptarët nëse e kuptojnë se çdo të thotë që, disa ditë përpara privatizimit, Qeveria ofron garanci shtetërore për një kredi për një ndërmarrje që po privatizohet, pra që do të privatizohet disa ditë më vonë, dhe ç’do të thotë që të kufizosh energjinë elektrike disa ditë para privatizimit të ndërmarrjes”?, tha Prifti. Deputeti i LSI-së akuzoi qeverinë gjithashtu dhe për paracaktim të blerësit të Divizionit Shpërndarës të KESH-t. “Këto veprime tregojnë që shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është e paracaktuar. Pazaret janë mbyllur. Dihet se kush do ta blejë këtë ndërmarrje. Të ofrosh garanci shtetërore për një kredi, për një ndërmarrje që po privatizohet, unë mendoj që do të thotë rritje pazari dhe rritje korrupsioni për Qeverinë, për të rritur më shumë shumat që do të përfitohen në mënyrë të paligjshme nga Berisha dhe njerëzit e tij”, tha Prifti. Sipas tij, “të kufizosh energjinë disa ditë para privatizimit, do të thotë t’ia ulësh më tej vlerën kësaj ndërmarrjeje”. “Kush është ai investitor që ofron shumë para për një ndërmarrje gati të falimentuar, për një ndërmarrje që është e falimentuar financiarisht, një ndërmarrje që ka falimentuar nga menaxhimi për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme që ajo ka, dhe një ndërmarrje që nuk ka mundësi të furnizojë me energji?. Pra, unë kam bindjen që të gjitha këto veprime që po bëhen nga Qeveria kohët e fundit, bëhen vetëm për të rritur vlerën e përfitimeve të jashtëligjshme të qeverisë me shitjen e kësaj ndërmarrjeje”, u shpreh Prifti.