Opozita e majtë në panairin e kotësive
Partia më e madhe e opozitës deri më sot PS nuk arrin të dalë dot nga vetëizolimi që po i bëjnë ndërkombëtarët sa herë lideri i saj përpiqet më kot të frekuentojë sallonet politike të kryeqyteve të Evropës. Për të gjitha këto ka një fjalë në anglisht e cila është “whitewash”,
një fjalë që do të thotë të fshehësh me shoshë aspektet më dramatike të një situate që po kaplon bash aspiratën legjitime të një vendi që ka vuajtur nga largesa me kontinentin mëmë. Nëse fshehja e shpresës së shqiptarëve ndodh nga keqpërdorimi manierist i një opozite të sakatuar emocionalisht nga Edi Rama, ka edhe formula që e kompensojnë terrin informativ. Meqenëse e nisëm me anglishten, në inventarin e saj ka edhe një fjalë si “Blackwash” që është krejt e kundërta e asaj që cituam më lart e që të do të thotë se i tregon të gjitha pisllëqet politike që mbeten të fshehura.
Ne këtu po tentojnë të zbulojmë se çfarë fshihet mbas mësymjes baltosëse të Partisë Socialiste në këto dy-tre javë.
Ka disa javë pas shpalljes së bojkotit që Partia Socialiste, përmes deputeteve të rinj apo kamikazët e rinj të saj duke filluar nga Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Ledi Shamku etj, që
përditë po i kërkojnë prokurorisë që të ndërmarrin veprime ndaj ministrave të kabinetit “Berisha”. Kuptohet vetiu se e gjithë kjo në është në kuadër të demonizimit të kundërshtarit politik, të krijimit ad-hoc të dyshimit ndaj qeverisë, të baltosjes a priori të figurave me profil të lartë politik. Prokuroria është bërë adresa e të gjitha akuzave të pavërtetuara të një opozite maniakale, ordinere, me kapriçio fëmije që e përdor akuzën si lajm, luhatje e dheut si veprim apo qëllim i dukshëm për të prodhuar politikë. Prokuroria po bëhet pre e një lloj katekizmi, të një lloj predikimi xhihadist për të shfarosur në opinionin publik ministrat e Qeverise. Edhe hienat kanë një kod ose presin sa të mbarojë pluhuri i shkaktuar nga safari me tragjeditë tropikale, të hanë kufomën, por kurrsesi në Shqipëri politika kanibaleske e opozitës po e fut kryekëput vendin në një hutim kolosal, në një devijim të qëllimshëm nga aspiratat e saj legjitime.
Afërmendsh kjo shihet qartë në keqpërdorimin e fatkeqësive natyrore dhe njerëzore. Fatkeqësitë që kanë interes të ulët apo mesatar për qytetarin e thjeshtë bëhen temë - objekt i keqpërdorimit të socialistëve në vështirë si për të gjetur alternative të dobishme për shtetin e tyre. Mirëpo ka disa ditë që ambasadorët më të rëndësishëm të trojkës perëndimore, ngulmojnë që reforma në drejtësinë shqiptare të mos “harrohet” nga bojkoti i opozitës, por të vihet në rendin e parë të agjendës së politikës shqiptare. Assesi që dëgjohen për të mirë, por përdoren deklarata e tyre për të mbajtur një përligjje të sutakut personal destruktiv. Ambasadorët këshillojnë edhe me kaq mbaron puna e tyre, si vijim politika merr vesh dhe vepron si di vetë.
Ka disa shenja pozitive që maxhoranca është e gatshme të mirëkuptojë amendamentet e së majtës në opozitë për reformën në fjalë. Nga ana e saj, politika e PS-së më shumë se një opozitë konstruktive, pra, që të bashkëpunojë për reformat e mëdha, po tregohet se ka një dell jakobin për të kryqëzuar të pafajshëm me gjuhën e dhunshme të deklaratave për shtyp. Kjo është vijimi i pastër i politikës tekno-terroriste të Sheikut të Bashkisë Edi Rama. Prokuroria e gjendur përpara akuzave groteske, pa asnjë fakt, delirante mbyll gojën në vend se të deklarojë pavarësinë e saj nga sharjet enciklopedike të xhihadistit Tahiri. Ky i fundit pas i dha fund beqarisë me seksin e kundërt vazhdon të vajtojë humbjen e zgjedhjeve të shokut të njëmijë e një zevzeqeve.
Të gjitha përpjekjet mediatike për të përshkallëzuar situatën politike kanë një qëllim që nis nga fobizimi i tejskajshëm për drejtësinë, e cila në kushtet kur Shqipëria ndodhet në pranë të sfidave madhore të integrimit kërkon një reformë, Edi Rama dhe qehajai i tij sa i mir, pasi instaluan njëfarë bllokade politike bllokuese për të ndezur ekstremizmin në vend, e sidomos për të cenuar aspiratën mbarëkombëtare të shqiptarëve dhe ndjenjën e fqinjësisë së mirë sot kërkojnë një favor nga prokuroria. Tahiri është përfaqësues i politikës së re të Edi Ramës, një politikë që ka në sfond ylberin e shpallur, tregtinë dhe servilosjen si parullë, qorrësim kolektiv si veprim dhe prokurorinë si ngatërrim.