Topi: Zgjedhjet e vitit 2009, prova më e madhe e demokracisë tonë
Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e 96 vjetorit të Pavarësisë, presidenti Bamir Topi tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë prova më e madhe e demokracisë shqiptare. “Demokracia e vërtetë shprehet në pasqyrimin real të votës dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve. Përgatitja e infrastrukturës bashkëkohore zgjedhore në kohë, me cilësinë dhe transparencën e duhur është një nga hallkat kryesore të zinxhirit të procesit zgjedhor. Duke nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e deritanishme e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe deformimeve të mundshme në situata të tilla, fryma e respektimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë politikisht konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime,” tha Topi. Në pritjen e organizuar me këtë rast, ku të pranishëm ishin dhe kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Topi tha se Shqipëria i jep mbështetje sovranitetin të Kosovës. “Kohët kanë ndryshuar shumë dhe Kosova nuk është vetëm. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen për pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët ashtu siç e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën atë, ashtu edhe nuk do të lejojnë që sovraniteti i saj të cenohet,” u shpreh presidenti.