Demokratët kërkojnë largimin e Ramës: Nuk organizoi Festat e Nëntorit
Krerët e shtetit kanë përkujtuar dje 96-vjetorin e pavarësisë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë vendosur kurora në memorialin “Nënë Shqipëri”. Në ceremonialin e organizuar dje për këtë qëllim ra në sy mungesa e opozitës, e cila edhe sivjet duket se ka vendosur që festimet e saj t’i bëjë më 29 nëntor, datë kjo e vendosur që në kohën e diktaturës si festë e çlirimit të Shqipërisë.
Madje demokratët janë irrituar me qëndrimin e kryetarit të PS, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës dhe e kanë akuzuar atë se nuk ka krijuar atmosferë festive në Tiranë. Në një konferencë për shtyp kreu i këshilltarëve bashkiakë të PD, Ferdinand Poni, kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës. Shkak i kësaj kërkese, sipas këshilltarëve, është fakti se me rastin e festave të 28-29 Nëntorit kryetari i Bashkisë nuk ka bërë asnjë ceremonial, asnjë urim dhe nuk është përpjekur që të përçojë arenën festive të këtyre festave. Në rast se Rama nuk do të bëjë dorëheqjen, sipas Ponit, do të kërkohet mocion mosbesimi.
Gjithsesi, mungesa e opozitës nuk i ka penguar demokratët të festojnë dhe njëherë në një datë edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të rënët në luftën për çlirimin e atdheut. Madje kryetari i PD, Berisha, në fjalën e tij ka cilësuar se ditëlindja e kombit para së gjithash është dita e mirënjohjes për ata që vendosën jetën e tyre në themelet e lirisë. “Ne e festojmë këtë ditë të pavarësisë edhe të çlirimit më mirë se kurrë, në tërë ekzistencën tonë, sepse ne festojmë këtë ditë me Kosovën e pavarur dhe në prag të zhvillimeve të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pra, ne festojmë dhe kremtojmë më të lirë se kurrë në të gjithë historinë tonë”, - tha Berisha.
Si ditën e lindjes së kombit, por edhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve të atdheut duket se e ka konsideruar këtë datë dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka qenë prezent në homazhet e zhvilluara në kodrat e Saukut, ku ndodhen dhe Varrezat e Dëshmorëve. Gjatë fjalës së tij Topi u shpreh se ka dy situata të ndryshme, kur brezat e asaj kohe luftonin kundër dezintegrimit të Shqipërisë, ndërsa sot vendi shkon drejt integrimit. “Është një ditë e shënuar Festa jonë Kombëtare. Është një ditë, ku në radhë të parë duhet të kuptojmë që Shqipëria është sot në këtë ditë të shënuar në sajë të punës së disa gjeneratave, por në radhë të parë të atyre që arritën të pavarësojnë Shqipërinë. Ka dy situata shumë të ndryshme, në atë kohë Shqipëria luftonte për të mos u dezintegruar, ndërsa sot Shqipëria është në integrim. Pra, janë dy ngjarje, të cilat vërtet janë në distancë, por janë shumë sinjifikative për Shqipërinë. Dhe me këtë rast, dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët për festën e tyre kudo ku ata jetojnë”, - tha Topi.