Opozita, harxhon kohën me çështje që nuk i takojnë

Reagon kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Astrit Patozi
TIRANE - Seanca parlamentare e ditës së djeshme është përfshirë nga debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me çështjen e deputetit Aleksandër Biberaj.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka apeluar dje në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë ndaj opozitës së majtë që të heqë dorë nga diversionet e kota në lidhje me çështjen e deputetit demokrat Aleksandër Biberaj.
Patozi theksoi se argumenti “Biberaj”, është një çështje që nuk i takon opozitës për të bërë diskutime dhe komente. “Keni tre ditë që merreni me një teme që nuk është e juaja, kemi shumë probleme për të zgjidhur në vështirësi për të gjetur tema ju vazhdoni të merreni me këtë temë. Mazhoranca ka të drejtë të bëjë të gjitha ndryshimet dhe zëvendësimet e nevojshme”, deklaroi Patozi. Ai shtoi se në çështjen e deputetit Biberaj është respektuar vetëm rregullorja dhe pikërisht neni që bën fjalë për kompetencat e kryetares së kuvendit dhe kjo është çështje vetëm e grupit të mazhorancës, ndërsa opozita nuk duhet të përfshihet në këto diskutime”.
“Çështja e shkarkimit të Biberajt, nuk është një argument që duhet vënë kaq shumë në diskutim për të shprehur shqetësim të thellë siç po e trajton opozita, pasi raste më të rënda kanë ndodhur më parë. Në nuk e prisnim se opozita do të fliste për çështje të palës kundërshtare në politikë. Problemi që ngre opozita është njëlloj me kërkesën e një deputeti të mazhorancës që mund të ndërhynte kur u ndërrua nënkryetarja e bashkisë ku në vend të Vali Bizhgës të vini Eduart Shalesin”, u shpreh më tej kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi.
Selia e PD-së: “Opozita mos të ngatërrojë e përvetësojë kompetencat e mazhorancës”/Partia Demokratike ka reaguar dje pas deklaratës së PS-së, ku kjo e fundit kundërshtoi vendimin e kryetares së Kuvendit për të emëruar Ilir Rusmali si kryetar të delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës. “Edi Rama nxori si zëdhënëse zonjën që ndërron emrin në çdo dekadë dhe po bëhet gati ta ndërrojë për të pestën herë emrin Kodheli, për t’i treguar PD-së se si dhe me çfarë duhet të përfaqësohet. Me këtë rast i bëjmë me dije zotit Rama se kompetencat e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të mazhorancës janë ekskluzivitet i tyre që s’mund të përvetësohen nga askush, se në Strasburg është dërguar përfaqësuesi ndër me dinjitozët dhe të merituar të mazhorancës aktuale”, thuhej në deklaratën e Partisë Demokratike.