E Diel, 1 Nëntor 2026

“Delegacioni shqiptar mori pjesë në votim, Rusmali kryetar”

Flet nga Strasburgu Arenca Trashani, anëtare e delegacionit shqiptar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

TIRANE - Deputetja e PD-së Arenca Trashani, anëtare e delegacionit shqiptar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, gjatë një interviste për gazetën “55”, mbrëmjen e kaluar në linjë telefonike, ka mohuar që delegacioni shqiptar të jetë pezulluar nga votimet gjatë punimeve të kësaj asambleje, e cila është mbledhur për herë të parë për vitin 2009 dje në Strasburg. Jo vetëm kaq, por dje delegacioni shqiptar sipas Trashanit ka marrë pjesë në votimin e disa projekt-rezolutave, ndërsa deklaratën e deputetit socialist Kastriot Islami, ajo e ka quajtur budallallëk. Deputetja e PD-së, ka bërë të ditur më tej se delegacioni shqiptar është përfaqësuar dje në aktivitetet e tij, me kryetar deputetin Ilir Rusmali. Duke përcjellë edhe opinionet e homologëve të huaj, Trashani ka bërë të ditur se sipas tyre, zëvendësimi i deputetit Aleksandër Biberaj me deputetin Ilir Rusmali, është çështje e parlamentit shqiptar.

Anëtari socialist i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Kastriot Islami, ka deklaruar dje se delegacioni shqiptar është pezulluar nga votimet. Sipas tij, shkaku ka qenë i lidhur me zëvendësimin e deputetit Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin. Si qëndron realisht e vërteta?
Absolutisht nuk është e vërtetë që delegacioni ynë të jetë përjashtuar nga votimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jo vetëm kaq, por vetëm pak minuta, para kësaj bisede, u takova me Islamin, ndërsa po hynim në seancën e radhës, ku edhe votuam. Ndaj, nuk e kuptoj pse Islami e ka bërë një deklaratë të tillë, që më duket më tepër si një budallallëk.

Pra ju thoni se nuk ka asnjë pezullim në asnjë nivel të delegacionit shqiptar?
Jo, jo. E përsëris. Nuk ka asnjë pezullim të delegacionit shqiptar, qoftë në mbledhjet në grupe, qoftë në komitetet, qoftë edhe në seancat e pasdrekës, ku ishim pjesë e disa votimeve. Delegacioni shqiptar ka marrë pjesë me të drejta të plota në të gjitha nivelet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në çfarë votimesh ka marrë pjesë delegacioni shqiptar?
Kanë qenë disa projekt-rezoluta, ku edhe anëtarët e delegacionit shqiptar kanë qenë pjesë e procesit të votimit.

Delegacioni shqiptar, gjatë aktiviteteve të ditës së sotshme (djeshme), si është përfaqësuar, pra kush e ka kryesuar?
Delegacioni shqiptar është kryesuar gjatë gjithë aktiviteteve të tij nga deputeti Ilir Rusmali.

Po deputetit Aleksandër Biberaj, ka qenë pjesë e delegacionit?
Deputeti Aleksandër Biberaj ka marrë pjesë vetëm në mbledhjen e mëngjesit (të djeshëm) të grupit politik, ku edhe bëri prezentë pretendimet e tij. Pas kësaj delegacioni shqiptar është përfaqësuar dhe njohur nga partnerët tanë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me kryetar deputetin Ilir Rusmali.
 
Nga kontaktet me homologët tuaj, apo edhe gjatë takimeve e mbledhjeve zyrtare, cili ka qenë opinioni i tyre për zëvendësimin e deputetit Aleksandër Biberaj, me deputetin Ilir Rusmali.
Opinioni që ka mbizotëruar gjatë takimeve të ndryshme, ka qenë se parimisht, një zëvendësim i tillë është e drejtë e parlamenteve kombëtare rrespektive. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit nuk e kanë përjashtuar edhe mundësinë e zëvendësimit të deputetit Aleksandër Biberaj me deputetin Ilir Rusmali, si të drejtë të parlamentit shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›