E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita i kërkon mazhorancës të rikthejë ligjin e vitit 2008

27/03/2012  PS i vë kufijtë Greqisë, mbërrin drafti në Kuvend

Ashtu siç kishin paralajmëruar, socialistët kanë dërguar në Kuvend draftin për përcaktimin e kufijve shqiptarë. Nisma ligjore përmban amendamente për ndryshimin e ligjit për kufijtë të hartuar dhe miratuar nga mazhoranca e djathtë më 2008-n. Propozimi i socialistëve ka në thelb përcaktimin e kufijve në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe jo në bazë të bisedimeve bilaterale me çdo shtet kufitar. Në relacionin bashkëngjitur projektligjit të hartuar nga Ilir Gjoni socialistët theksojnë se përderisa “nuk kemi nënshkruar dhe për rrjedhojë nuk kemi ratifikuar marrëveshje me Greqinë dhe Malin e Zi, Republika e Shqipërisë nuk ka kufij detarë me këto dy vende”. Më tej në argumentimin e tyre ata shtojnë se pala greke gjithnjë ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje për kufijtë me Shqipërinë dhe “për sa kohë ende nuk kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufirin tokësor dhe duke iu referuar ligjit të 2008-s, ku në nenin 3 të tij kërkohet një traktat dypalësh apo shumëpalësh dhe jo protokoll, atëherë dhe Protokolli i Firences mbetet i pavlefshëm”, – sqaron opozita në draftin e saj. Në draftin e opozitës është përcaktuar qartësisht se cili është kufiri ujor shqiptar. Sipas tij, ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke dhënë dhe piketa konkrete si kalon ai. “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë, që shkon nga kepi i Rodonit (Muzhit), pepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës) derdhja e Semanit, e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës, dhe i gjirit të Gramës, e mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes kanalit të Korfuzit. Gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te kepi i Rodonit shtrihet deri në vijë e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi)”, – theksojnë socialistët në projektligjin e tyre. Nga dita e djeshme drafti është dorëzuar në Kuvend dhe pret të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare. PS-ja bën me dije se do të shohë mundësi të tjera ligjore, nëse këto propozime nuk merren parasysh nga pala tjetër.

Marrëveshjet

Në draftin e PS-së për ndryshimin e nenit 3, thuhet që “Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe të traktateve dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi.”

Ujërat shqiptarë

Ujërat tanë shtrihen nga vija që shkon nga kepi i Rodonit, i Pallës, i Lagjit, derdhja e Semanit, e Vjosës, bregu perëndimor i Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i gjirit të Gramës, e mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve greke deri përmes kanalit të Korfuzit. Gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te kepi i Rodonit

Kufijtë

Ujërat e brendshme territoriale të Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë, që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e sipërmendur, që përshkon kepin e Gjirit të Gramës, e Gjirit të Palermos, e Qefalit, e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›