Opozita kërkon shfuqizimin e moratoriumit për mjetet lundruese
Mazhoranca ka dërguar në Kuvend një projektligj për dhënien me koncesion të porteve turistike. Duket një çudi shqiptare kjo që të japësh me koncesion portet në një kohë që me ligj janë të ndaluara mjetet lundruese. Një moratorium që hyri në fuqi kur Berisha erdhi në pushtet vijon të jetë akoma në fuqi. Deputeti i PS, Artan Gaçi thotë se të japësh me koncesion portet pa shfuqizuar moratoriumin është njësoj si të ndërtoje parkingje nëntokësore para viteve 90 në Shqipëri.
Për këtë arsye opozita ka vendosur që të depozitojë një nisëm për shfuqizimin e këtij moratoriumi, i cili u zgjat me një vendim të marrë në vitin 2010.
Në kushtet e pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftime e pasaporta biometrike, liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptare, si dhe identifikimit elektronik e digjital në pikat e kalimit kufitar, mundësia e lëvizjeve klandestine është thuajse zeruar. Ndërkohë që moratoriumi ka rezultuar i dështuar në parandalimin e trafikut të narkotikëve të cilën e vërtetojnë mjetet që transportojnë këto lëndë e që vazhdojnë të kapen nga policia bregdetare e shtetit fqinj, Itali. Në këto kushte ky ligj e ka humbur funksionin e tij dhe po penalizon shtetasit shqiptarë duke bllokuar turizmin dhe zhvillimin e gjithë infrastrukturës lidhur me mjetet lundruese si portet, pontilet, barkat me vendet e tregtimit dhe riparimit të tyre, shkollat nautike etj. Ky ligj po i bën një dëm të madh ekonomisë në të gjithë vijën bregdetare të vendit. Duke iu shtuar prapambetjes të trashëguar nga sistemi komunist ky moratorium e ka thelluar edhe me tej pozicionin e turpshëm të Shqipërisë në fushën e infrastrukturës turistike detare krahasuar me fqinjët Kroaci, Mal i Zi e Greqi. Në këto kushte, jo vetëm që amendimi total i këtij ligji është i domosdoshëm, por nevojiten politika urgjente nxitëse e inkurajuese për këtë treg shumë të rëndësishëm për të ardhmen turistike dhe ekonomike të Shqipërisë, argumenton deputeti i PS, Gaçi.