Vatikani si Shqipëria, SHBA e vendos në listën e zezë të pastrimit të parave
Për herë të parë, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka vendosur Vatikanin në listën e zezë të vendeve vulnerabil për pastrimin e parave. Në raportin e përvitshëm të DASH për narkotikët dhe pastrimin e parave, Vatikani është përfshirë në listën e vendeve shqetësuese së bashku me Shqipërinë, Egjiptin, Malajzinë, Vietnamin e Jemenin.
Vatikani është potencialisht vulnerabil ndaj pastrimit të parave për shkak të vërshimit të shumave të parave nga mbarë bota.
Për mediat italiane, një lajm i tillë është shqetësues. Sipas TG COM, tani Selia e Shenjtë shihet nga SHBA njësoj si Shqipëria. Vatikani është ndjerë i turpëruar, shkruan TG COM dhe ka nxituar të sqarojë zyrtarët amerikanë se ata kanë ngritur në vitin 2011 një program kundër pastrimit të parave. DASH ka deklaruar se Vatikani do jetë në listë për një vit, për të pritur se si do ndryshojë situata.
Megjithatë ky grup vendesh që cilësohen si shqetësues janë kategoria e dytë nën vëzhgim, për shkak se përpara tyre janë disa vende që cilësohen si realisht të rrezikshme për pastrimin e parave.