SHBA: Shqipëria nuk ka vullnet politik për të luftuar trafikun e drogës. Shuplakë gjyqësorit: Nuk dënon trafikantët
Ndryshe nga vitet e shkuara, kur raporti i Departamentit të Shtetit për luftën kundër narkotrafikut theksonte se ka progres modest në këtë drejtim, sivjet Departamenti i Shtetit thekson se përpjekjet për të luftuar këtë trafik po pengohen edhe nga vullneti politik.
Përpjekjet për të luftuar narkotrafikun ishin të përziera në Shqipëri në vitin 2011. Kapja e drogës dhe procedimi penal vijuan në të njëjtat nivele si një vit më parë, por përpjekjet vazhdojnë të pengohen nga mungesa e burimeve, korrupsioni dhe mungesa e vullnetit politik. Shqipëria është kryesisht një vend transit për Europën Perëndimore. Grupit e krimit të organizuar përfitojnë nga pozicioni strategjik i Shqipërisë, kufijtë porozë dhe zbatimi i pabarabartë i ligjit. Shqipëria nuk është një prodhues domethënës i drogërave të paligjshme. Qeveria, për shkak të çështjeve të tjera, nuk ka kohë për ti kushtuar abuzimit me drogat nga përdoruesit. Për këtë arsye nuk ka të dhëna të sakta për këtë çështje, edhe pse disa dëshmi flasin për përdorim në rritje, sidomos mes të rinjve shqiptarë, thuhet në raport.
Por në raport i jepet një shuplakë e fortë gjyqësorit që nuk dënon trafikantët. Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem i ngulitur thellë në Shqipëri. Pagat e ulëta, pranimi shoqëror i ryshfetit dhe rrjetet e ngushta sociale në Shqipëri e bëjnë të vështirë të luftohet korrupsioni mes policisë, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave, thuhet në raport. Ndërkohë në raport theksohet se prokuroria ka rritur ndjeshëm numrin e çështjeve që referohen në gjykatë, por gjykata nuk i dënon trafikantët. Pavarësisht rritjes së çështjeve në gjykatës, numri i dënimeve është ulur nga 211 në 162, një rënie me 23 përqind. Dis vendime duken të dyshimta, nisur nga provat, duke sugjeruar se gjyqësori nuk është i pavarur dhe transparent.