Opozita kërkon zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi

PS anulon sot aktivitetet politike dhe elektorale
TIRANE - Opozita ka kërkuar në bllok zbardhjen e ngjarjes që rëndë të së shtunës në mbrëmje që i mori jetën deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka vlerësuar si një ngjarje tejet të rëndë, vrasjen e deputeti socialiste Fatmir Xhindi. I ndodhur në Roskovec, menjëherë sapo ndodhi ngjarja, lideri Rama tha se priste me pa durim zbardhjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.
“Është një ngjarje e rëndë sa s’ka më! Është vrarë një qytetar, i cili përfaqësonte shumë qytetarë të tjerë, jo thjesht një njeri si të tjerët. Duke pritur me padurim zbardhjen e rrethanave, ne jemi këtu për t’i shprehur solidaritetin tonë familjes së mikut tonë të ndjerë e për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen e tmerrshme e tronditëse për të gjithë vendin”, tha Rama pas takimeve që zhvilloi në familjen e të ndjerit.
Deputeti Marko Bello e cilësoi ngjarjen e ndodhur në Roskovec të Fierit si shumë të rëndë.
“Kam 5 vjet deputet dhe kam bashkëpunuar me të. Xhindi ishte një deputet i qetë dhe të gjithë janë të tronditur mbi atë çka ndodhur” tha Bello.
Edhe deputetja tjetër e PS, Rajmonda Stefa thotë se është befasuar për vrasjen dhe se gjatë ditës së djeshme Fatmir Xhindi nuk ka pasur ndonjë takim për fushatën paraelektorale.
“Jemi të befasuar për vrasjen. Fatmir Xhindi ka qenë një njeri i qetë, dhe jo konfliktual. Fakti që është zgjedhur 3 herë nga e njëjta zonë si deputet konfirmon çka thashë më lart”, u shpreh ajo.
Ndërkaq edhe kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta kërkoi zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes ku humbi jetën deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi dhe vendosjen e autorëve para ligjit.
“Nuk kam asnjë dijeni për ndonjë konflikt të deputetit Xhindi, pasi ai nuk ka qenë natyrë konfliktuale, por gjithnjë ka qenë paqësor dhe konstruktiv. Opinioni publik mund të qetësohet disi, vetëm pas zbardhjes së shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien para drejtësisë së autorëve të saj”, theksoi Meta në një prononcim.
Ndërkohë Partia Socialiste ka vendosur që gjatë ditës së hënë të anulojë çdo aktivitet të kësaj force politike. Vrasja e deputetit të PS-së, ka bërë që partia të lërë përkohësisht të gjitha aktivitet e saj të shumta, në këtë prag fushate elektorale.
“Partia Socialiste anulon çdo aktivitet publik ditën e nesërme në respekt të familjes, të afërme e dashamirësve të deputetit Fatmir Xhindi”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat.