E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, arrestohet guvernatori i Ilinoisit



Agjentët federalë të Shteteve të Bashkuara kanë arrestuar dje guvernatorin e Ilinoisit, Rod Blagojeviç. Sipas të përditshmes “Chicago Tribune”, guvernatori akuzohet për korrupsion brenda administratës së tij. Blagojeviç u përpoq të “shiste” vendin e senatorit të Ilinoisit, pas nominimit të presidentit Barak Obama, i cili mbante këtë post. Në pranga është vënë edhe shefi i kabinetit të guvernatorit, Xhon Harris. Hetuesit u autorizuan nga një gjykatës për regjistrimin e disa telefonatave të guvernatorit, i cili akuzohet për korrupsion. Sipas akuzave të bëra nga prokurori federal i distriktit të Ilinoisit, Patrik Fitzgerald, Blagojeviç ka abuzuar edhe me fondet e grumbulluara gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale, ku fitoi kandidati demokrat Barak Obama. Në listën e akuzave për guvernatorin renditet edhe kërcënimi që i ka bërë pronarit të së përditshmes “Chicago Tribune”. Nga të dhënat e para dyshohet se ai e ka shantazhuar se do t’i bllokojë fondet publike që jepen për mediat. Sipas burimeve zyrtare, Blagojeviç i ka kërkuar pronarit të kësaj gazete që të largojë nga puna të gjithë redaktorët që janë treguar kritikë ndaj tij gjatë kësaj fushate në këmbim të ofrimit të fondeve për reklamë. Gazeta “Chicago Tribune” e kishte kritikuar senatorin për vendimin për ishte marrë për shitjen e stadiumit “Wrigley Field’, i njohur si tempull i basketbollit. Prokurorët e akuzojnë Blagojeviçin edhe për abuzime me punësimet në administratën e tij.

Të akuzuarit për sulmet e 11 shtatorit duan të pranojnë fajësinë

Pesë persona të akuzuar për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit, që mbahen në bazën ushtarake amerikane të Gjirit të Guantanamos në Kubë dhe ndaj të cilëve ka filluar procesi gjyqësor, duan të pranojnë fajësinë duke tërhequr edhe veprimet e tyre ligjore të parashtruara nga avokatët mbrojtës. Në sallën e gjyqit të Guantanamos, gjykatësi lexoi letrën e 5 të pandehurve, ku ata kërkojnë një seancë të posaçme, në mënyrë që të pranojnë përfshirjen e tyre në sulmet e 11 shtatorit, ku u vranë 2 mijë e 973 njerëz. Gjykatësi tha se do të merrte në pyetje secilin nga të pandehurit, për t’u siguruar se i kuptojnë implikimet e planit të tyre, që ka shumë mundësi çojë në dënimin e tyre me vdekje. Sipas letrës, të 5 burrat e morën këtë vendim më 4 nëntor, ditën që Barak Obama u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara. Obama ka thënë se ai do që ta mbyllë qendrën e ndalimit në Guantanamo dhe se do ta shqyrtojë edhe një herë sistemin e komisioneve ushtarake të debatueshme, përmes të cilave po gjykohen burrat në fjalë. Një numër ekspertësh thanë se të pandehurit mund të mendojnë se po u ikën rasti për t’u bërë martirë.

Buçkovski dënohet me 3.6 vjet burg për korrupsion

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, u dënua nga Gjykata Themelore e Shkupit me 3 vjet e 6 muaj heqje lirie për korrupsion. Buçkovski dyshohet se në vitin 2001, kur ushtronte postin e ministrit të Mbrojtjes, ka dëmtuar shtetin me një vlerë prej 3 milionë eurosh për shkak të furnizimit me pjesë rezerve për tanke dhe pajisje të tjera ushtarake, në një masë katër herë më të madhe sesa sasia e nevojshme. Dënim të njëjtë me 3.6 vite burg ka marrë edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë, Metodija Stamboliski. Edhe dy të akuzuar të tjerë punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes gjithashtu janë dënuar me nga 3 vjet heqje lirie. Ky është një ndër rastet e para në Maqedoni kur një ish-ministër dhe kryeministër dënohen për korrupsion.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›