E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i injoron Kosovën, marrëveshja me Serbinë, ne shtator



Blerina Olldashi
Edhe pse nuk ka marrë miratimin e Kosovës, EULEX-i do të nënshkruajë marrëveshjen e shumëpërfolur me Serbinë, në fund të Shtatorit. Lajmi bëhet i ditur nga i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, në një intervistë për të përditshmen serbe, “Blic”. Sipas Bogdanoviç, kjo marrëveshje do të jetë në interes të të dyja palëve dhe qëllim i saj do të jetë bashkëpunimi në çështje të tilla si krimi i organizuar duke qënë se sipas tij, në Kosove ka trafik armësh ndërsa Kosova është vend origjine për trafikun e lëndëve narkotike. Përveç autoriteteve kosovare, marrëveshja e EULEX-it kundërshtohet edhe nga serbët që jetojnë në Kosovë. Përfaqësuesit serbë të pjesës veriore të Mitrovicës shprehen se qeveria e Serbisë i ka anashkaluar ata qëllimisht. Për një pjesë të politikanëve të komunitetit serb, kryesisht atyre të veriut të Kosovës, protokolli i bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është i papranueshëm. Për këtë pozicion të tyre, ata përmendin dy arsye: E para, me këtë marrëveshje, Beogradi zyrtar po njeh kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; dhe arsyeja e dytë, protokolli, nënvizojnë ata, është arritur pa konsultime me serbët e Kosovës. Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Nacional Serb për pjesën veriore të Kosovës, kritikon Qeverinë e Beogradit për injorim total të serbëve në arritjen e këtyre marrëveshjeve. “Ne kemi paraqitur qëndrimin tonë dhe kundërshtimin ndaj kësaj marrëveshje, por përfaqësuesit legjitimë të serbëve nuk kanë qenë të informuar nga ana e Beogradit se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë, kështu që detajet e saj ne nuk i dimë”,- thotë Ivanoviç. Vetë fakti se serbët e Kosovës janë anashkaluar, i bën ata të ndihen të frikësuar dhe të shqetësuar, thotë ai. “Ajo që dimë është se, kjo marrëveshje nënkupton një mbështetje më të fuqishme dhe kontroll më të fuqishëm të vijave kufitare. Ne, vijën kufitare me Kosovën si krahinë jugore serbe, nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë asnjëherë”,- thekson Milan Ivanoviç. Ndërkaq, Dragan Veliç, po ashtu nga Këshilli Nacional Serb, por për pjesën qendrore të Kosovës, pret që marrëveshja të definohet qartë me pozicionin e Serbisë në raport me statusin e Kosovës. “Thënë më qartë, kjo mund të jetë e pranueshme vetëm me kusht që ajo të jetë në harmoni me Rezolutën 12 44, para së gjithash, mendoj në çështjen e statusit që duhet zgjidhur”,- thotë Veliç. Mirëpo, gjendja e krijuar me këtë protokoll, sipas Milan Ivanoviçit, në anën tjetër, nuk do të kalojë edhe pa efekte, kur flitet për raportet e serbëve të Kosovës me qeverinë në Beograd. “Kjo është një çështje e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Nënshkrimi i marrëveshjes që do të nënkuptonte vendosjen e doganës e kufijve, do të na e vështirësonte neve gjendjen”,- thotë Ivanoviç, duke shtuar se serbët e Kosovës e dinë më së miri kur dikush prek interesat e tyre.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›