Opozita kritikon për mos harmonizim të qëndrimeve

Këto reagime kanë ardhur pasi që ditë më parë kryenegociatorja, Edita Tahiri, kishte deklaruar se Kosova mund të përfaqësohet në nismat rajonale me një fusnotë dhe jo me Republikë, siç ndodh me rastin e Maqedonisë. Kjo ka bërë që të reagojnë partitë opozitare dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë antikushtetuese.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se ky nuk do të ishte akti i fundit nëpërmjet së cilës do të vlerësohej qeveria se a ka hequr dorë nga Republika ose jo, duke shtuar se ata kanë hequr dorë shumë më herët.
Sipas tij, të gjitha marrëveshjet që janë arritur me Serbinë deri më tash, janë heqje dorë nga Republika, duke përmendur marrëveshjen për regjistrat civil, marrëveshjen për targat, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, që siç tha ai, as kufijtë nuk quhen shtetëror, por quhen pika kalimtare.
Konjufcës i vjen mirë që për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale nuk po e kundërshtojnë vetëm partitë politike opozitare, por edhe lider të institucioneve.
“Mua më vjen mirë që edhe figurat e tjera politike, jo vetëm nga opozita e kanë shpjeguar qartë që është antikushtetuese në Kosovë. Për sa kohë shteti i ynë definohet në nenin 1.1 të Kushtetutës si shtet sovran dhe demokratik, dhe në këtë kuptim specifikohet edhe mënyra se si do të duhej të përfaqësohej ky shtet në nismat, në çfarëdo konferenca, duke theksuar se Kosova ashtu siç është e definuar me nenin 1.1 duhet të përfaqësohet në këto nisma rajonale si shtet i pavarur i quajtur Republika e Kosovës, siç e kemi emrin dhe siç specifikohet me Kushtetutë”, ka thënë Konjufca.
Nga ana tjetër deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se në të gjitha marrëveshjet Qeveria ka lëshuar pe, ndërsa kësaj here kanë sjellë konfuzitet sa i përket nismave rajonale. Sipas tij ndryshe flet kryeministri, ndryshe kryenegociatorja.
“Deklarata e sotme e kryeministrit e demanton kryenegociatoren dhe ata nuk i harmonizojnë qëndrimet vet, që opinionin të qartësojnë. Me vet faktin që ka këso konfuziteti, është treguesi më i mirë që kjo qeveri është e degraduar skajshmërisht në mënyrë që t’i bëjë dëm vendit. Ne e kemi paralajmëruar edhe më herët se këto bisedime po fillojnë pa platformë, pa agjendë, pa afate të caktuara dhe në fakt po e devalvojnë shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Isufi.
Ndërsa në lidhje me deklaratën e kryeministrit Thaçi se Rezulta 1244 është e tejkaluar, Ahmeti ka thënë se kryeministri këtë duhet t’ia thotë Edita Tahirit dhe atyre që po marrin pjesë në bisedime, në mënyrë që të mbajnë qëndrimin, ashtu siç e meriton populli i Kosovës dhe shteti i Kosovës.
Ndërsa për kritikat e adresuara nga Isufi për mos një koordinim të mirëfilltë të zyrtarëve të institucioneve, është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ka thënë se janë bërë përpjekje dhe po vazhdohet në këtë mënyrë që institucionet të jenë sa më transparente para qytetarëve të Kosovës.
Grabovci ka theksuar se rezoluta e fundit e miratuar në Kuvendin e Kosovës i specifikon qartë vijat e kuqe nëpër të cilat nuk duhet të shkelen.
“Ne kemi rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe asaj rezolute ne i përmbahemi. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Pra është Republika e Kosovës dhe ne nuk tërhiqemi asnjë milimetër nga qëndrimet e Parlamentit të Kosovës. Dhe thjeshtë ne kemi thënë se me rezolutën që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës, janë përcaktuar shumë qartë dhe drejt për gjithë qytetarët, për gjitha përfaqësimet institucionale se cilat janë vijat e kuqe mbi të cilat nuk guxon askush të shkel dhe ne nuk lejojmë”, ka potencuar Grabovci.
Për më tepër ai ka shtuar se do të kërkohet nga Qeveria në vazhdimësi që të informojë me kohë qytetarët e Kosovës, por gjithnjë përmes rrugëve institucionale. Duke shtuar se rruga më e mirë për informim është Parlamenti ku i përfaqësohen interesat e qytetarëve të Kosovës.
Ai është ndalur të flas edhe tek gjuha, e cila po flitet në Parlament, e që sipas tij është gjuhë e rrugës që po e praktikojnë disa deputet.
“Në këtë mandat, i cili nuk është mandati i parë i Parlamentit të Kosovës, kemi pas edhe më herët. Por parlamentin tonë e ka karakterizuar një gjuhë parlamentare, gjatë këtij mandati ka ndryshuar gjuha dhe është tentuar të bartet gjuha e rrugës në Parlament. Jemi dëshmitar dhe e i dini deputetët që kanë bartur atë gjuhë të sharjeve, të fyerjeve dhe të akuzës dhe kanë pretenduar që foltoren e Parlamentit të shndërrojnë në gjykatore, për ne ka qenë dhe është e huaja”, ka thënë ai. /kosovapress/