E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kundërshton legalizimin pa projekt urbanizimi

Marrja e kompetencave më të gjera nga ana e ALUIZNI-t, të cilat parashikohen në amendamentet e reja të projektligjit, janë kundërshtuar nga opozita. Kjo e fundit është kundër realizimit të procesit të legalizimit të zonave informale, pa patur më parë një projekt urbanistik, i cili, nëse do të bëhet më pas, do t’i kushtojë shtetit më shtrenjtë. Debatet në lidhje me këtë çështje kanë vijuar edhe dje në Komisioni Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, lidhur me ndryshimet në ligjin ekzistues të legalizimeve, të kërkuara nga ALUIZNI. Opozita dhe maxhoranca nuk kanë rënë dakord për anashkalimin e Këshillave të Rregullimit të Territorit në miratimin e zonave informale, ashtu siç kërkon qeveria nëpërmjet projektligjit të paraqitur. Deputetët socialistë në këtë komision kanë kërkuar që KRT-ve t’u lihet një afat prej një muaji për miratim, në të kundërt vendimi të merret i mirëqenë. Ndërkohë, mes debatesh të shumta, Komisioni i Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi, me shumicë votash, nen për nen, projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar". Deputetët e opozitës i kundërshtuan këto ndryshime, me argumentin se ky projektligj “i jep kompetenca ALUIZNI-t më shumë se ç'duhet, duke lënë vend për abuzim”. Procesi i legalizimit të zonave informale po has në vonesa të shumta jashtë të gjitha parashikimeve. Qeveria ka vendosur si afat për përfundimin e këtij procesi qershorin e vitit të ardhshëm, edhe pse kjo gjë është kundërshtuar si nga opozita, ashtu dhe nga ish-pronarët, të cilët e konsiderojnë ligjin si antikushtetues. Edhe pse legalizimi i zonave informale u shpall si prioritet nga qeveria që në momentin e marrjes së pushtetit, deri tani asnjë banor nuk ka marrë tapinë për shtëpinë e tij. Afati për mbylljen e këtij procesi është caktuar tashmë qershori i vitit të ardhshëm, por deri tani është bërë shumë pak. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Legalizimeve, vonesat kanë ardhur për shkak të problemeve me pushtetin vendor, ku Këshillat e Rregullimit të Territorit, nuk japin miratimin për legalizimin e zonave informale. Nënkryetari i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinant Shehu, deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se “procesi nuk është bllokuar, por ai ka akoma disa vonesa”. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, kjo situatë ka bërë të domosdoshme ndryshimet në ligjin ekzistues, ku kërkohet që të mos pritet vendimi i KRT-ve për legalizimin e zonave informale, një kërkesë që has në kundërshtimin e ashpër të opozitës. Deri tani është bërë vetëm miratimi në KRRTRSH i 107 zonave informale, ndërkohë që gati për miratim janë edhe 32 zona të tjera. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, vetëm kur të jetë mbyllur kjo fazë do të kalohet në hapat e tjerë, të cilët gjithsesi mbeten peng i ndryshimeve të kërkuara në ligj.
E. Koçi

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›