E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si realizohet legalizimi i shtesave në ndërtim

Një tjetër problem i këtij procesi është edhe legalizimi i objekteve, të cilat kanë bërë shtesa pa leje. Ligji i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, te të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT të njësisë së qeverisjes vendore ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave. Zyra e Urbanistikës së njësisë së qeverisjes vendore përcjell pranë ALUIZNI-t dokumentacionin e kërkuar, së bashku me dokumentacionin që ajo disponon për objektin e përcaktuar. Për legalizimin e ndërtimeve pa leje në territoret me përparësi zhvillimin e turizmit, legalizimi i ndërtimeve informale do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të këtyre zonave. Legalizimi i shtesave në ndërtime kryhet edhe në rastin kur subjekti, shoqëria ndërtuese ose investitorë që kanë kryer shtesën jashtë lejes së ndërtimit, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, nuk paguajnë penalitetet. Në këtë rast legalizimi kryhet në favor të blerësit dhe për subjektin ose shoqërinë ndërtuese ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimit. Kundër vendimit të njësisë së qeverisjes vendore, që refuzon të pranojë dokumentacionin, subjekti mund të paraqesë ankim administrativ pranë zyrës përkatëse të njësisë vendore ose kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Procedura e ankimit administrativ zbatohet edhe për vendime të drejtorive përkatëse të ALUIZNI-t, sipas Ligjit "Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë". Në territoret e përcaktuara nga ALUIZNI si territore me ndërtime informale ndalohet dhënia e lejeve për shesh ndërtimi ose e lejeve të ndërtimit subjekteve private, deri në miratimin e studimit urbanistik për to.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›