Ish-pronarët, kur do të dëmshpërblehen
Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit. Përsa i përket nenit 10 për dokumentacionin dhe procedurën që ndiqet për fillimin e procesit të legalizimit, janë parashikuar disa procedura. Fillimisht qeveria merr vendim për shpërblimin e pronarëve dhe për sipërfaqet takuese, brenda 30 ditëve nga afati i dorëzimit të listës me dokumentacionin e kërkuar. Për ndërtimet e legalizuara, ALUIZNI përgatit dokumentacionin për regjistrim në regjistrat e pronave të paluajtshme pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, (ZRPP-së), në përputhje me Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme". Ndryshimet në nenin 11, që ka të bëjë me kompensimin e ish-pronarëve, vënë në dukje që zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompensojnë subjektet brenda 6 muajve, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal, që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas Ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar". Disa prej përgjegjësive të zyrës së urbanistikës kalojnë tek Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t". Njësia e qeverisjes vendore, me vendim të Këshillit të Ministrave, ngarkohet të kryejë procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje. ALUIZNI përcakton destinacionin e objektit, sipas verifikimit në terren.
5 Mars 2008