E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët: “Parullat e Edi Ramës, si kinezët në vitin 70”



Nënkryetari i Partisë Republikane, Alfred Deshati, ka shprehur dje shqetësimin për fushatën që ka nisur opozita socialiste me parulla, që, sipas tij, i ngjajnë parullave kineze të vitit 1970. “Partia Republikane e Shqipërisë është sinqerisht e shqetësuar nga nisja jonormale që opozita ka startuar në pragfushatën e zgjedhjeve politike të qershorit 2009, ku brenda saj bie në sy mungesa thelbësore e etikës, ndershmërisë dhe sinqeritetit me elektoratin, të cilit ajo i drejtohet. Deklaratat e bujshme të Edvin Ramës dhe Ilir Metës me banorët e fshatit, teori kjo e huazuar nga shokët kinezë në vitet ‘70-të, por tashmë e pasuruar edhe me thirrjet për shtresën e pensionistëve, shtresë të cilën gjatë qeverisjes së tyre e lanë në mjerim të plotë, duket si një përpjekje për të ndryshuar stofin apo, e thënë ndryshe, imazhin e tyre në sytë e elektoratit”, - është shprehur Deshati, ndërsa ka bërë të ditur se PR-ja do të jetë pjesë e aleancës politike të djathtë dhe shumë shpejt do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit elektoral dhe paselektoral me Partinë Demokratike.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›