E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita maqedone shqetëson Perëndimin

Nga Express më 30 janar 2011 në ora 18:30

Përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në Shkup kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mosfunksionimin e dialogut politik në Maqedoni, pas bojkotit që partia më e madhe e opozitës i bëri parlamentit.

Ambasadori amerikan, Philip Reeker, ka deklaruar se përveç sektorit të drejtësisë dhe medies, që po hasin probleme të shumta, me bojkotin e LSDM-së është vënë në rrezik dhe funksionimi i parlamentit. Ndërkohë, misioni i BE-së në Shkup, përmes një komunikate për shtyp i ka bërë thirrje LSDM-së që të kthehet në Parlament.

“Lirisht, mund të shprehem se, mediumet e pavarura dhe gjyqësia, të cilat janë dy komponentët kryesorë të demokracisë, po ballafaqohen me shumë probleme. Kuptova se edhe Parlamenti, si organ ligjvënës, po ballafaqohet me probleme. Institucionet dhe demokracia në Maqedoni duhet të merren seriozisht me këtë çështje për ta rregulluar atë”, është shprehur ambasadori amerikan, Reeker, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup dënon çdo lloj bojkoti të parlamentit.

“Vendi i deputetëve është në parlament dhe vetëm aty mund të sigurojnë parakushtin kryesor për euro-integrim të vendit, dhe ai është dialogu politik”, thuhet në reagimin me shkrim të zyrës së BE-së në Shkup.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›