Një aksident në veprën e Kadaresë
A ka dashuria ndonjë lidhje të dukshme me diktaturën politike? E kam menduar këtë pyetje disa herë derisa e lexoja ‘Aksidentin’. Është një paqartësi e mrekullueshme rreth romanit pasi që ai mediton mbi kuptimin e dashurisë. Kjo është e kuptueshme. Çfarë më ka ngatërruar mua ka qenë përpjekja e Ismail Kadaresë, për të cilën unë mendoja se ishte fare paradoksale, për t’i dhënë asaj paqartësie një formë të caktuar duke e lidhur atë me jetën në Shqipëri nën regjimin totalitar të një diktatori të paemërtuar, por që supozohet të jetë Enver Hoxha. A është duke folur Kadare për dashurinë apo në të vërtet është duke gjuajtur në diktatorin komunist? Nëse e dyta është më e vërtet se e para, atëherë libri është gati për të ju bërë të ndiheni paksa të mashtruar. Në një roman në të cilin heroina shkon për punë të veta brenda momenteve të të qëlluarit për vdekje nga i dashuri i saj në një motel, askush nuk pret që të tregohet, megjithëse në mënyrën më të bishtnuese të mundshme, se sa djallëzor ka qenë një diktator shqiptar.
Por, ndoshta është diktatura ajo që i bën jetën dhe dashurinë të duken absurde. Kadare, një kandidat i rregullt për çmimin Nobel për letërsi, është i njohur për alegoritë politike sikurse ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ (1963) apo ‘Pallati i ëndrrave’ (1981).
Që kur librat e tij shpesh kërcënoheshin me censurë dhe në të vërtet janë ndaluar, ai përdor një stil indirekt për të krijuar një botë të errët të karakterizuar nga një ndjenjë e papërcaktuar e kërcënimit. E njëjta është e vërtet edhe me ‘Aksidentin’. Heroi, një shqiptar i quajtur Besfort Y., i cili është analist i çështjeve ballkanike në Këshillin e Europës, ka ëndrra të vazhdueshme sikur të thirrej në gjyqin e Hagës.
Ne nuk e dimë se pse ai i ka këto ëndrra, pasi që romani fillon me aksidentin në veturë që i vret atë dhe të dashurën e tij, Rovenën. Historia e tyre është e atillë siç është rindërtuar nga një hulumtues anonim nga copëzat e letrave, bisedave telefonike dhe dëshmive të miqve, të cilët i kanë njohur të dy.
Aksidenti mund të ketë qenë një vrasje politike dhe kësisoj shërbimet inteligjente të të dyja shteteve, Shqipërisë dhe Serbisë, fillojnë të interesohen rreth tij. Ato dështojnë në zgjidhjen e misterit derisa hulumtuesi e merr përsipër, për të dështuar prapë, por më lavdishëm. ‘Çoroditja e brendshme’ e rastit e moleps atë në mënyrë të pakthyeshme; ai ngatërrohet në rrëfenjën e të dashuruarve aq shumë saqë ai e bën një dëshirë ku kërkon të varroset me pasqyrën e pjesës së pasme të veturës që është shkatërruar.
Është vështirë ta kuptojmë arsyen që qëndron prapa agonive të hulumtuesit derisa ai angazhohet në zgjidhjen e rastit, veç nëse ne i pranojmë drithërimat e tij si shprehje të frikës ekzistenciale. Disa herë na thuhet se historia e Besfortit dhe Rovenës është ‘e panatyrshme’, thellësisht e çalë dhe do të zbulojë thellësitë e pazbërthyera të shpirtit njerëzor, por asgjë nuk ndodh për të na bindur se është ashtu.
Problemi me ‘Aksidentin’ është se fabula dhe personazhet e tij janë të shtruar shumë rrallë për të mbajtur peshën e mendimeve politike dhe filozofike që e përbëjnë romanin. Besfort Y. është, për ta thënë thjesht, ‘i marrë, i keq dhe i rrezikshëm për ta njohur’, për ta huazuar frazën e përdorur nga Lady Caroline Lamb që e përshkruan Lord Byron-in. Ai ka një të kaluar të errët (mund të ketë qenë i përfshirë në bombardimin e Serbisë), ka ëndrra të errëta dhe fantazi të errëta (rreth vrasjes së Rovenës). Siç është e zakonshme me njerëzit e tillë, ai e merr vetën shumë seriozisht. Atij i pëlqen që e dashura e tij të ketë dashnorë të tjerë sepse, sikurse ‘diktatori’, ‘ai po kërkonte dashurinë e tradhtarëve’. Sa i përket Rovenës, ajo duket të ketë vetëm dy ankthe – Besfortin dhe gjoksin e saj. Kur nuk është e zënë në telefon, ajo ulet përpara pasqyrës, duke u bërë gati për Besfortin.
Kur këto dy personazhe prej kartoni shkojnë prej një hoteli në një hotel tjetër nëpër Europë, duke bërë dashuri gjatë tërë natës dhe pastaj duke u zgjuar për t’u përballur me pyetjet e njëri tjetrit si, ‘a të ka frikësuar diçka?’ apo ‘Pse po më vë në këtë test?’, për kurrfarë arsye të dukshme, është lehtë të ndihesh i pabindur, nëse jo i mërzitur. Dhe pastaj vie thumbi politik – faqe mbi diktatorin, rreth asaj se si ai e kishte skllavëruar tërë kombin, ishte ngopur me dashurinë e adhuruesve të tij dhe në këtë mënyrë e kërkonte dashurinë e tradhtarëve. Duke e ndërtuar kështu lidhjen ndërmjet diktatorit dhe Besfortit në të cilën varet romani, Kadare i bën disa përpjekje pa entuziazëm për të mitologjizuar historinë duke e kërkuar ‘tekstin okult’ të Orfeut, Euridikës, Uliksit, Hamletit dhe Servantesit rreth Kamilës dhe Anselmos që pyesin, ‘Por... a mundet një femër të quhet e virtytshme nëse nuk e ka pasur kurrë rastin të jetë mistrece?’
Imazhi i pakalueshëm në roman është prej mjegulle – që është në rregull për aq sa vlejnë imazhet – por jo aq i rëndësishëm nëse gjithashtu reflekton gjendjen shpirtërore në të cilën autori e ka shkruar librin. Cilësia kafkiane e lidhur me veprat më të mira të Kadaresë është e pranishme këtu vetëm si efekt atmosferik. Ndoshta ‘Aksidenti’ është vetëm aq – një aksident në veprën e Kadaresë, përmes të cilit ky shkrimtar i njohur ndërkombëtar do të ishte më mirë të mos gjykohej.
Përktheu: A. Beka