E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita mbulon veten me gënjeshtra

Akuzat e PS-së për borxhin, reagon kryeministri Berisha. Huamarrja, brenda planit buxhetor të 2010


Kryeministri Sali Berisha iu referua gjatë mbledhjes së Qeverisë, çështjes së borxhit publik, ku opozita pretendon për një rritje prej 860 për qind. Shefi i ekzekutivit reagoi duke deklaruar se tendenca e opozitës për të mashtruar vjen nga prirja e saj antikapitaliste, pasi siç tha kryeministri huamarrja realizohet në bazë të ligjit të parlamentit dhe në rastin konkret ajo është në nivelin 32 për qind të asaj që parashikon ligji. “Kemi një ligj në Parlament, i cili autorizon këtë qeveri për ato parametra që janë votuar, të marrë hua 50 miliardë lekë. E vërteta është se deri më tani nuk janë marrë as 16 apo 17 miliardë. Dhe deklarojnë se është rritur huamarrja 860 për qind, kur huamarrja është në nivel 32 për qind të asaj që është parashikuar me ligjin e Parlamentit. Se u zgjohen kacabunjtë e borxhit antikapitalist, unë se marr vesh këtë gjë. Si del kjo shifër 860 për qind? Ka një ligj në Parlament, buxheti, dhe shihet sa përcakton huamarrjen dhe sa është marrë. Gjithçka është transparente. Ndaj dhe ne do t’i përmbahemi kësaj me rigorozitet. Pavarësisht nga situata e tregjeve financiare të Euros, absolutisht, ekonomia do ta kapërcejë pa asnjë lloj lëkundje serioze. Unë e ftoj opozitën t’i marrë të gjithë treguesit. I kanë të gjithë treguesit. Ne i kemi transparente gjerat: sa mund të marrim borxh dhe me këtë huamarrje sa shkon borxhi i vendit, sa shkon deficiti buxhetor dhe sa na duhen euro? Nuk e mohoj na duhen edhe Euro. Këto janë gjëra shumë transparente”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se 5 vjet më parë borxhi ishte në nivelin 72 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa aktualisht vendi ka një borxh me 59 për qind. “Kjo qeveri ka gjetur një deficit buxhetor me 7.9 për qind, sot po ecim drejt një deficiti nën 4 për qind. Pra, detyrohem t’i përsëris këto sepse në mënyrën më të pakonceptueshme, nën moton “e keqja jote është e mira ime”, në mënyrën më të papërgjegjshme, çdo ditë shpifet dhe trillohet me shifra të paqena. Të deklarosh se është rritur me 860 për qind huamarrja, nuk bën gjë tjetër përveç se gënjen 860 herë. Mbulon veten me gënjeshtra”, tha kryeministri.


Ministria e Financave


Drejtori i përgjithshëm i borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, sqaron opinionin publik, lidhur me akuzat e kryesocialistit, për situatën ekonomike dhe borxhin. Demiraj tha se Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, dhe në përputhje me strategjinë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes. Ai deklaroi se ligji lejon që huamarrja të jetë në shifra 39.6 mld lekë, ndërkohë që aktualisht kjo shifër është vetëm 14.5 mld lekë. Sipas tij, Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, dhe në përputhje me strategjinë tonë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes, për të diversifikuar burimet e financimit, dhe sigurimin e një pjese të tij në Euro (kuptohet, pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat), do të shohim edhe mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro. “Përgjithësisht, likuiditeti në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve vazhdon të mbetet i konsiderueshëm. Huamarrja e brendshme nuk ka cenuar aspak likuiditetin e bankave ne dispozicion te sektorit privat, gjë që është evidente nga norma mesatare e mbulimit te ankandeve. Kjo norme ka qene rreth 150 për qind për pesë muajt e fundit, pra për çdo njësi monetare të titujve të shitur nga qeveria, oferta e tregut ka qenë mesatarisht 1.5, apo 50 për qind më e lartë sesa nevoja jonë. Në të njëjtën kohë, normat e interesit të huamarrjes së brendshme janë ulur në mënyrë konstante. Kështu p.sh, bonoja ‘benchmark’, apo barometër, e qeverisë, që është ajo 1-vjeçare, është ulur nga 9.24 për qind në fund të vitit 2009, në 8 për qind aktualisht, çka përbën një reduktim të kostos që ajo shkakton në buxhetin e shtetit prej më tepër se 13 për qind. Paralelisht me këtë, është rritur edhe përqindja e titujve që individët dhe institucionet jo-banka mbajnë në portofolin e borxhit të brendshëm. Ka dhe një sërë zhvillimesh të tjera në tregun e brendshëm që janë mjaft pozitive, siç janë rritja e maturitetit te borxhit te brendshëm dhe shtimi i peshës specifike te instrumenteve afatgjate, por sigurisht këto janë publike dhe mund t’i gjeni ne raportet periodike te Ministrisë; Së fundi, do doja të shtoja se Ministria e Financave e vlerëson shumë interesimin e mediave ndaj ecurisë së borxhit publik dhe të huamarrjes publike, por për t’i shërbyer sa më mirë detyrimit tonë ndaj publikut, do të kërkonim bashkëpunimin tuaj për të reflektuar vetëm të vërtetën në hapësirat tuaj mediatike”- tha më tej, drejtori Dimraj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›