Bashkia e Tiranës mban peng ndërtimin e qendrës multifunksionale të kulturës
Flet drejtori i QNK-së, Mujë Buçpapaj
Ndërsa kanë përfunduar pjesa më e madhe e punimeve në mjediset e brendshme në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, (QNK), mosdhënia e lejes për punimet e jashtme nga Bashkia e Tiranës si dhe mos largimi i një biznesi privat, po pengojnë përfundimin e rikonstruksionit të saj për t’a kthyer në qendrën më të madhe multifunksionale të kulturës në vend. Drejtori i QNK-së, Mujë Buçpapaj tha dje se “shkak i pengesave për këtë rikonstruksion janë mos largimi i një biznesi privat, që zë 40 për qind të sipërfaqes dhe Bashkia e Tiranës, e cila padrejtësisht nuk jep lejen e ndërtimit për fillimin e punimeve në mjediset e jashtme të qendrës”. Ai sqaron se, edhe pse ministria e Kulturës ka aplikuar disa herë, nuk ka marrë asnjëherë përgjigje, as nëse kjo leje do të refuzohet, as nëse ka mungesë dokumentesh. Pra, thjesht, Bashkia mban në mënyrë të padrejtë një leje ndërtimi. Drejtori i QNK-së, Mujë Buçpapaj shpjegon detaje të projektit për rikonstruksionin e qendrës, të cilin e vlerëson mjaft të mirë, pasi aspektet profesionale janë parashikuar deri në imtësi. Sipas tij, gjithë skeletura dhe kubatura e Teatrit Dramatik me rreth 500 vende ka mbaruar, ka përfunduar Teatri i varietes, 2 sallat e kinemasë në katin e parë, njëra nga Galeritë e Arteve dhe të gjitha dhomat e aksesorëve që mund të përdoren për një teatër. QNK në përfundim të rikonstruksionit, do të ketë kalendar të ngjeshur veprimtarish teatrore, ku përveç një trupe që do të jetë e përhershme, do të funksionojë për të gjitha grupet teatrore individuale, me menaxher, grupe të huaja, etj. Godina e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e njohur prej të gjithëve si Piramida, u ndërtua në vitin 1988 si muze për ish-diktatorin Enver Hoxha. Pas ndryshimeve demokratike në vitin 1991, destinacioni i saj ndryshoi dhe u kthye në një qendër kulture. Rikonstruksioni për këtë qendër ka filluar në qershor 2008 me një fond prej rreth 5 milionë euro.
...