E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita, me gjuhën e gjarprit

Së fundmi jemi dëshmitar të paftuar në bigëzimin djallëzor të taktikës mediatike të Partisë Socialiste: ku njëra, për shembull dje, Gjermeni doli e foli për “Hapje kutish” sepse e kërkon rezoluta e PE-së, kurse tjetra simotra e egër Olta Xhaçka e ngarkuar me detyrën e killerazhit mediatik të figurave të maxhorancës. është një lojë lehtësisht e kuptueshme përderisa përqendrimi i goditjes së uzinës shpifëse është jo më dhe vetëm për pak kohë figura e kryeministrit Berisha por, Ministrat e figurat e maxhorancës. Qëllimi i pathënë është shtyrja e Berishës të pranojë një kompromis që ka brenda disa koncesione në hapjen e kutive të fletëve të votimit dhe për rrjedhojë një “carta bianca” në reformën zgjedhore. Ky është një ndryshim me stilin përpara kampionatit botëror kur artileria socialiste godiste atë që Spartak Ngjela e quante Kështjella, pra Kryeministrinë.
Grafiku i verës socialiste kishte synim ngritjen e një prokurorie me procedurë morale ku roli akuzues u lihej fytyrave të imta, të ndryshme, të nxira, të shumta. Atyre nuk u intereson nëse akuzat janë të vërteta apo të pavërteta pasi qëllimi ishte përgatitja e terrenit të shantazhimit.
Një bigëzim aktual dualist ngjan me gjuhën e gjarprit me zile. Helmimi i pusit të arsyes nga ana e Partisë Socialiste është një atentat i pastër i fundpushimeve verore. Hapja e dy fronteve: kuti dhe korrupsion do të thotë acarim i klimës politike dhe nisje e motorëve të fushatës elektorale deri në zgjidhjen përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 2011-s.
Mirëpo, përsa i përket hapjes së kutive dhe rezolutës së Parlamentit Europian interpretimi është qëllimisht i gabuar. Një lexim për së prapthi që dëshmon se Edi Rama kërkon luftë dhe jo paqe, përballe dhe jo dialog. Interpretimi surrealist i PS-së vjen si nevojë për të përligjur dështimin me sukses të të gjithë aksionit politik e mediatik që Egoarku ndërtoi mbi një sajesë që të gjithë e njohin si transparencë e zgjedhjeve. Ngërçi i kutive do të thotë jetëgjatësi një lideri që s’e meriton më partinë më të madhe opozitare por që e mban me narkozë strukturash dhe dhunim verbal të atyre të Mendimit Ndryshe.
Ndërkaq pas një morie akuzash për ngritjen e një kompleksi pallatesh 30-katëshe në parkun e kryeqytetit nga ana e Bashkisë për llogari të Tan Leprit, Edi Rama zgjodhi ditën e djeshme, në prezantimin e projektit shqiptaro-italian që do të ndërmerret për nder të 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare Nënë Tereza. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, iu përgjigj indirekt akuzave të deputetëve të PD-së Tiranës për Parkun Liqenit, kur tha se me projektin e Nënë Terezës “do t’i jepet jetë një hapësire në parkun e kryeqytetit, ku burra, gra, fëmijë e të moshuar, njerëz të njohur e të panjohur dhe autoritete shtetërore mund të përshkojnë një rrugë, e cila në të njëjtën kohë, përmes emrave të shkruar në gurët e saj, t’i bëjë jehonë gjithçkaje për të cilën ne flasim shumë në ditët përkujtimore, por shpeshherë harrojmë ta kujtojmë në ditët e zakonshme”. Ai iu shmang akuzave me një nënkuptim që e lexuan të gjithë. Por të gjithë nuk kuptuan se ku do të ishte “Rruga e paqes” tek parku i Sulës tek Tajvan apo tek parku i Liqenit Artificial, i paramenduar për dhëmbët e Leprit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›