Koha që Rama të japë shpjegime për vlerën e pasurive të vëna në emër të Leprit
Partia Demokratike vlerëson se kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet t’u përgjigjet opinionit publik ndaj akuzave që rëndojnë mbi të si përvetësimi i 20 përqind të çdo hapësire ndërtuese, përmes sistemit të ngushtë të sekserëve e partnerëve të tij
Partia Demokratike i bën thirrje kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama të bëjë transparente pasuritë që disponon dhe lidhjet me biznesmenin ose më saktë, me sekserin Tan Lepri. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi iu drejtuar me disa pyetje, të cilat siç tha ai, Edi Rama duhet t’u japë përgjigje. Nisur nga partneriteti i hershëm i kryesocialistit me sekserin e tij, Tan Lepri, deputeti Bumçi, i kërkoi Edi Ramës të bëjë publike pasurinë që zotëron, numrin e lejeve të ndërtimit që i janë dhënë Leprit dhe në sa kontrata është bashkëpunëtor me të. “Zoti Rama, prej sa kohësh e njeh z.Dritan Avllaj i njohur si Tan Lepri? Sa është numri i lejeve të ndërtimit që përmes Tan Leprit i ke dhënë firmave të ndërtimit? Sa është rritur pasuria e këtij “sekseri” prej lejeve të lëshuara nga Bashkia? Në sa kontrata trojesh ndërtimi je pjesë në emër të Tan Leprit? Sa është sipërfaqja e apartamenteve që mban në emrin e sekserit të Bashkisë e Partisë së Leprit? Sa është pasuria juaj e vendosur në emër të Tan Leprit?”- u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Ai i kujtoi gjithashtu kryesocialistit, të mos fshihet gjatë dhe të gjejë kurajën për t’iu përgjigjur interesit të publikut. “Duke besuar që nuk do fshihet më gjatë, e që sot z. Edvin Rama do jetë në takimin e përjavshëm me gazetarët, uroj që të gjejë kurajon e t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta, pa bërë lojëra fjalësh, pa kallëzuar përralla e pa iu marrë goja”- deklaroi më tej, Bumçi.
Reagimi i Partisë Demokratike vjen në një kohë kur instrumentet e keqopërdorura të Edi Ramës në Partinë Socialiste organizohen ditë pas dite në sulme të paprincipta ndaj ministrave të qeverisë Berisha. Mirëkuptimi në këtë rast duhet të vlejë në sensin se përfaqësuesit e opozitës, ligjvënësit e mandatuar më 28 qershor të vitit të kaluar, s’kanë kuadrin e duhur të formimit për t’i bërë ballë presionit absurd të lidershipit opozitar edhe pse ky i fundit, vuan pasoja psikologjike pas dështimeve të njëpasnjëshme në çdo betejë elektorale me kundërshtarin e tij, Sali Berisha.
Nga frika e përgjigjeve, Edi Rama vendos përfundimisht të fshihet nga kontakti i përjavshëm me mediat/Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, komunikimin e përjavshëm me gazetarët vendosi ta përcjellë përmes kryetarit të grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Si të mos mjaftonte fshehja dyjavore, për të cilat u justifikua se kishte probleme familjare, në një kohë kur ai përfundoi në kazinotë e Macaos dhe Los Angelos-it, lidershipi opozitar, ka filluar një valë të dytë fshehje, por këtë radhë çështja është shumë më serioze. Prej ditësh me radhë, Edi Rama ka qëndruar i fshehur dhe larg syrit të gazetarëve, të cilët prej tij presin shumë shpjegime për denoncimet marramendëse të Partisë Demokratike dhe deputetëve të mazhorancës. Janë pikërisht këto argumente që e bëjnë të besueshëm faktin se Edi Rama po fshihet deri në normalizimin e situatës për të mos dhënë shpjegimet e nevojshme për akuzat drejt tij për ryshfet dhe korrupsion. Precedentët e Edi Ramës nuk kanë të kryer, gjobat e papranueshme që ai u faturon bizneseve dhe zhvatja e pamoralshme për çdo investim të kryer në zonat prioritare të kryeqytetit, sigurisht që duhet të marrë një ndëshkim, i mendueshëm ligjor. Por, porsa kohë Edi Rama i shmanget transparencës dhe bërjes publike të pasurive të panumërta të tij, gjobave të vëna, 20%-shit për çdo leje ndërtimi të lëshuar dhe bashkëpunimet me partnerët, të njëjtin veprim do demonstrojë edhe ndaj përgjegjësive ligjore.
Duke iu shmangur këndvështrimit të opinionit publik dhe duke e lënë atë në dritë hijen e ryshfetit dhe korrupsionit me seli në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama injoron një nga detyrimet morale përballë votuesve të tij, se sa pasuri ka vënë gjatë 12 viteve të fundit jete politike dhe 10 vitet në krye të Bashkisë së Tiranës.
Deklarimi i një depozite bankare me vetëm 3 000 euro, është sa e pabesueshme aq edhe fyese për mendimin e lirë të opinionit publik. çështja që shtrohet në këtë aspekt, është se sa lepuj ka pas vetes Edi Rama? Themi lepuj, pasi është kthyer në modë tashmë roli i sekserit për të fshehur milionat e vjedhur dhe zhvatjen e fondeve të kompanive të ndërtimit. Në këtë drejtim, për Edi Ramën s’mbetet gjë tjetër veçse të pranojë transparencën dhe të hapë kutinë e milionave të vjedhura gjatë 12 viteve karrierë politike.