E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita nis sot protesten maratone per hapjen e kutive

TIRANE- Opozita nis sot pasdite protestën maratonë deri në fillimin e bisedimeve me Qeverinë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët, të mbështetur edhe nga aleatët e pjesë e shoqërisë civile, do të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për ditë të tëra. Në orën 18.00 në sheshin “Skënderbej”,do të grumbullohen të ardhurit nga e gjithë Shqipëria, me në krye deputetët e tyre, sipas qarqeve. Më pas marshimi do të vijojë drejt shëtitores kryesore të Tiranës, përpara Kryeministrisë, aty ku do të nisin fjalimet politike të cilat nuk do të jenë shumë të gjata.

Protestuesit do të kalojnë natën në shesh, ashtu si në 20 nëntor, për të rifilluar sërish paraditen e 1 majit, me fjalime, thirrje nga ana e drejtuesve të partive të ndryshme. Dita e shtunë, parashikohet të jetë disi një ditë e vështirë, për faktin se shumë pranë protestuesve të PS-së, në sheshin “Nënë Tereza”, do të festojnë në mesditë me një koncert, mbështetësit e qeverisë.

GSH shkruan sot se opozita ka edhe një plan rezervë, i cili do të fillojë të zbatohet në ditët në vijim të protestës dhe që kategorizohet në atë që quhet “mosbindja civile”.
Kjo ka lidhje me bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit, duke paralizuar funksionimin normal të shërbimeve. Megjithatë, herë pas herë do të ketë vendimmarrje të socialistëve dhe aleatëve bashkë, në varësi të situatave që do të krijohen.

Dje, pas përfundimit të takimit me aleatët, kreu i PS-së, Edi Rama pasi përmendi arsyet e protestës, tha se ajo “nuk do të ndalet”. Ai i ftoi shqiptarët, “për një protestë që do të kërkojë thjesht dhe vetëm rikthimin në duart e popullit të një të drejte që nuk mund të negociohet, nuk mund të shitet, nuk mund të falet, e drejta për të votuar lirisht e për ta parë votën ndershmërisht”.

Protesta do të kufizojë dhe lëvizjen e automjeteve me drejtim bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”. Kufizimi do të nisë që sot prej orës 16:00, ndërsa trafiku do të menaxhohet nga një numër i konsiderueshëm i punonjësve të policisë së qarkullimit rrugor”. Detyra më e vështirë e forcave të rendit pritet të jetë pikërisht më 1 maj, kur do t’u duhet të qëndrojnë mes protestuesve opozitarë dhe atyre që festojnë me Qeverinë në sheshin para Universitetit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›