Van Gal: I lumtur që përballem me Murinjon
MYNIH- Kualifikimi i Interit për në finalen e 22 majit në Madrid duket se ka kënaqur edhe trajnerin e Bajernit të Mynihut Luis Van Gal, të cilit i duhet të përballet me ish-nxënësin e tij Zhoze Murinjo. Trajneri holandez i Bajernit pati thënë që përpara sfidës së “Kamp Nout” se do të preferonte zikaltërit në finale, ndërsa nuk ka ndryshuar mendje edhe pas ndeshjes së të mërkurës. “Në finale mund të mposhtim këdo, por tani mezi pres të përqafoj mikun tim Murinjo, - deklaroi Van Gal. – Sidoqoftë, mendoj se me Interin do të kemi më shumë shanse sesa do të kishim me Barcelonën”, shtoi ai. Tekniku i skuadrës bavareze ka përgëzuar Interin për lojën e treguar në dy sfidat ndaj Barcelonës, ndërsa ka argumentuar se “ekipi i Murinjos luan në mënyrë më pak ofensive se katalanasit”. Sipas tij, një gjë e tillë duhet marrë në konsideratë. Van Gal u shpreh gjithashtu se nuk i beson shumë mikut dhe ish-zëvendësit të tij te Barcelona, që tashmë konsiderohet një prej trajnerëve më të mirë të botës. Ndërkohë, Bastian Shvajnstajger ka deklaruar se Interi është një skuadër shumë e vështirë për t’u mundur. “Duket tepër e vështirë t’i bësh një gol Interit, por besoj se në finale ata do të luajnë në një mënyrë ndryshe nga ajo në Katalonjë kundër Barçës”, tha mesfushori gjerman.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)