E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita niset me pushime, pa shpresa se ato do t’i shfrytëzojë për reflektim

25-07-2011 / Redaksionale

E gjithë kryesia e Partisë Socialiste duket se ka shkuar me pushime, dikush në plazh e tjerë në mal. Të drobitur jashtëzakonisht përgjatë, para dhe pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, askush s’mund t’u mohojë atyre ca ditë pushim. As Rama. Ky i fundit në hall për humbjen e bashkisë së Tiranës, ende s’e ka marrë veten plotësisht nga grushti elektoral i dhënë nga qytetarët e kryeqytetit. Dy vitet e fundit për të kanë qenë përballja më radikale me kundërshtarin politik, që tash e quan armik, Sali Berisha, i cili në zgjedhjet e fundit mblodhi si bletë punëtore rreth 140 mijë vota me shumë se kreu i opozitës. Një rezultat që flet vetë, e që do të fliste më shumë nëse do të kishin qenë zgjedhje parlamentare, që me një shifër të kësisoj sigurimi 7/8 deputetëve më shumë është i pashmangshëm.
Kësisoj reflektimi i Ramës për strategjinë e konsumuar të rrugës së bojkotit, të protestës, të grevës së urisë, të demonstratave apo revoltave popullore, po kërkohet me ngulm jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga shumë zëra ndryshe brenda PS-së e brenda opozitës. Ky reflektim është bërë i nevojshëm pasi bilanci politik i sipërmarrjes dy vjeçare të PS-së dhe krejt opozitës është larg të qenit pozitiv. Përkundrazi, Partia Socialiste ka humbur besueshmërinë publike për shkak dhe si pasojë e një agjende konfliktuale që ka ndjekur Edi Rama.      
Megjithatë të pakta janë shanset që kreu i PS-së të reflektojë, me një analizë të gjatë, përballë strukturave dhe forumeve të ndryshe. Ai i ka narkotizuar bash forumet me helmin e urrejtjes ndaj kundërshtarit, i cili është edhe përgjegjës me formulën retorike, fajin e ka Saliu. Patjetër mund te themi se Egoarku është divorcuar nga mendimi ndryshe, për të lidhur kurorë me segmente të paqarta biznesi dhe trafiku influence mediatike. Ai ka shpallur vdekjen kolektive të drejtësisë, demokracisë dhe lirisë për motive të dobëta politike. Ka urdhëruar deputetë të qëllojnë me gëlbazë e shpifje drejt Kolegjit Zgjedhor, duke i fyer ata si hajdutë, vetëm se socialistët kanë imunitet parlamentar. Fyerja dhe shpikja është bërë platformë politike për opozitën në mungesë të ideve, mendimeve dhe alternativave qeverisëse. Edhe pse Gjykata e Tiranës dënoi me gjobë për shpifje dy deputetë socialistët, Ed Shalësi dhe Ermonela Felaj, prapë nuk heqin dorë nga fabrikimi i akuzave eterike. Janë të pandreqshëm sepse gjallojnë në një ambient ku vlera është në arrati, dhe për sa kohë të drejtojë anti-vlera, e njëjta atmosferë do të kushtëzojë debatin publik.
Sidoqoftë me hyrjen sot në Bashkinë e Tiranës të Lulzim Bashës, si Kryebashkiak për katër vitet e ardhshme, vjen në kryeqytet një fllad i freskët ndryshimi, që si ortek i bardhë do të pastrojë të zezat e administratës së mëparshme. Hyrja në skenë e vlerës premton një ristrukturim të sipërmarrjes publike. Politika që është pasqyrë e luftës me mjete të tjera do të luftojë sërish për marrjen e rolit protagonist në dy vitet e ardhshme, deri në 2013. Përpara janë përmbushja e 12 pikave të kërkuara nga Bashkimi Europian, që pa bashkëpunimin e opozitës, janë të pamundura për t’u arritur. Shumica ka shprehur interesin e një konsensusi për hir të marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, kurse opozita megjithë rezervat e rastit, ka thënë se do të jetë në kuvend në shtator, ç’ka nuk do të thotë bashkëpunim apo votim të ligjeve aq të nevojshme për përmbushjen e standardeve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›