Opozita organizoi 21 janarin
Në raportin që kryetari i Prezencës së OSBE’së në Shqipëri e prezantoi të enjten, para Këshillit të Përhershëm të OSBE’së, nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës shqiptare.
Që në fillim të fjalimit, kreu i OSBE, Wallfarth, tha se "ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011. në Tiranë".
Dhe duke u ndalur në ato që Wallfarth i quajti ngjarje të dhunshme të 21 janarit 2011, megjithëse hetimi i prokurorisë dhe ai i Kuvendit ende vazhdon, ai pohoi se "duket me vend të thuhet se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër persona dhe u plagosën shumë të tjerë".
Më tej në raportin e tij, kreu i OSBE shtoi edhe atë se: "mënyra se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jenë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër"./NOA/