Kosovë, Lambrinidis: Zgjidhjet vetëm përmes dialogut

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis i cili vizitoi Kosovën, i ka dhënë mbështetje të fuqishme dialogut të nisur në Bruksel. Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Lambridinis ka theksuar se dialogu është e vetmja rrugë evropiane për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo dhuna dhe përdorimi i armëve.
“Është bindja ime shumë e fuqishme që zgjidhjet jetëgjata mund të vijnë vetëm si rezultat i dialogut dhe kompromisit. Kjo ka qenë pozita e vendit tim në rajon. Armët dhe lufta nuk janë përgjigjeje. Urrejtja dhe ndarja nuk janë përgjigjeje”, ka thënë ai.
Lambrinidis ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit e kanë vendin ne BE. I pyetur nga gazetarët se kur Athina do të njohjë pavarisinë e Kosovës, kryediplomati grek ka thënë se BE nuk flet me një zë dhe se qëndrimi i vendit të tij është i njohur.
Por, ai ka thënë se Greqia do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, zhvillimin ekonomik dhe sfera të tjera. Ndërkaq, Kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin Stavros Lambrinidis për qëndrimin e Greqisë, që Ballkani si tërësi të jetë pjesë e BE-së. Ai ka thënë se respekton vendimin e Greqisë për mosnjohjen e Kosovës, derisa ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin grek për shumë çështje të interesit të përbashkët.