Opozita padit Sejdiun në Kushtetuese
Deputetët e opozitës do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese një interpretim në lidhje me mbajtjen nga Fatmir Sejdiu të postit të kreut të shtetit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Kuvend janë mbledhur mbi 30 nënshkrime të deputetëve, që kanë vendosur të kërkojnë përgjigje nga “gardiani i Kushtetutës”, nëse kreu i shtetit është duke e shkelur ose jo Kushtetutën, përmes mbajtjes së postit të ngrirë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse me Kushtetutë është e përcaktuar që tridhjetë a më shumë deputetë mund ta ngrenë çështjen e presidentit në gjykatë, iniciuesi i mbledhjes së nënshkrimeve, deputeti i pavarur Naim Rrustemi, ka vendosur që edhe për pak kohë të mos e procedojë lëndën në gjykatë. Ai dëshiron t’i mbledhë edhe nënshkrimet e deputetëve që kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur nismën e tij, por që për shkaqe të ndryshme nuk kanë arritur të takohen fizikisht me të.
“Pres t’i mbledh nënshkrimet e atyre që kanë treguar interesim, e njëkohësisht pres edhe vetëdijesimin e ‘tregtarëve politikë’, që në fakt janë deputetët e koalicionit qeverisës, për ta bërë edhe ata të njëjtin veprim”, ka shtuar Rrustemi. “Më shumë po pres nga LDK-ja që ta mbështesë nismën time, sepse kësaj partie i konvenon më së shumti t’i heqë dilemat e ngritura rreth njeriut të parë të partisë dhe shtetit”, është shprehur ky deputet.
#