Lëvizje të reja në krerët e Drejtorisë së Përgjithshme
Ndryshime të reja në radhët e policisë. Disa drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë janë lëvizur, ndërkohë që kanë ardhur edhe emërime të reja nga oficerë të lartë të policisë, të cilët ishin në reformë që prej vitit 2007. Sipas të dhënave, një prej tyre është edhe Besnik Bakiu, që për një kohë të gjatë mbajti funksionin e kryetarit të shoqatës së policëve në lirim. Ai është emëruar shef sektori në Qendrën e Formimit Policor (ish-Akademia e Rendit). Ndërkaq, pas një periudhe kohe si oficer kontakti në Kosovë, është rikthyer në një tjetër detyrë Petrit Bushi. Ai është liruar nga detyra e oficerit të kontaktit dhe është emëruar Shef i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ndërsa oficer kontakti në Kosovë është emëruar Astrit Kodra, i cili është liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ndërkaq, në funksionin e lënë të lirë nga Kodra është emëruar Arjan Muçaj, i cili ishte këshilltar pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ndërsa Ilo Keçka emërohet shef i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Gjithashtu, këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar edhe Enver Lirza, i cili u lirua nga detyra e drejtorit të administratës së Departamentit të Kufirit dhe Migracionit. Në këtë funksion është emëruar Ajet Ibro, i cili u lirua nga detyra e drejtorit të policisë rrugore. Departamenti i Kufirit ka pasur edhe ndryshime në drejtoritë rajonale. Sipas të dhënave, Sajmir Boshnjaku është liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Tiranë dhe është emëruar drejtor i Qendrës së Azilkërkuesve në Vorë. Naim Manuka është liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Durrës dhe është emëruar në të njëjtin funksion në Tiranë.
Disa nga emërimetArjan Muçaj emërohet drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve
Astrit Kodra emërohet oficer kontakti në Kosovë
Petrit Bushi emërohet shef i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme
Ilo Keçka emërohet shef i kabinetit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
Ajet Ibro emërohet drejtor i Drejtorisë së Administratës në Departamentin e Kufirit
Enver Lirza emërohet këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
Naim Manuka emërohet drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Tiranë
Sajmir Boshnjaku emërohet drejtor i Drejtorisë së Azilkërkuesve në Vorë
Besnik Bakiu emërohet shef sektori në Qendrën e Formimit Policor