E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, Berisha ia heq Metës dhe ia jep Pollos

Kryeministri ia heq me vendim qeverie kompetencat zëvendëskryeministrit. Vendimi zëvendëson ligjin. Procesi kalon në varësinë e ministrit të Shtetit

Albert Gjoka

Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë nuk drejtohet nga zëvendëskryeministri, siç ka qenë praktika e deritanishme, por nga ministri i Shtetit për Reformat. Ky ndryshim është bërë vetëm pak javë pas krijimit të qeverisë së re ku postin numër dy në qeveri e mban Ilir Meta, aleati më i ri në qeverisje. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, që mban datën 14 tetor 2009, i është hequr kompetenca Ilir Metës dhe ky proces ka kaluar në duart e ministrit që mban portofolin më të ri në kabinetin qeveritar, zotit Genc Pollo.
Vendimi
Procesin e verifikimit të titujve të pronësisë nuk do ta menaxhojë më zëvendëskryeministri, por ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin. Ndonëse me ligj është parashikuar që procesi kryesohet nga zëvendëskryeministri në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Berisha ka ndryshuar drejtuesin e tij me një vendim qeverie. Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare, “në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 11, të Ligjit Nr. 9948, datë 7.7.2008, ‘Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’, të ndryshuar, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave”, është vendosur “në Vendimin Nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, emërtimi ‘zëvendëskryeministri’, zëvendësohet me ‘ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin’”. Duke iu referuar këtij dokumenti, vendimi hyn në fuqi menjëherë pasi publikohet në Fletoren Zyrtare.
Ligji
Në ligj është parashikuar mënyra se si do të realizohet procesi i verifikimit të titujve të pronësisë. Në bazë të ligjit, me këtë proces do të merret Komisioni Qeveritar i Tokës, që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri. Komisioni në fjalë do të drejtojë dhe do të mbikëqyrë veprimtarinë e komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë nëpërmjet vendimeve që merren në mbledhje, akteve që përgatiten nga sekretariati i KQT-së, kontrolleve që ushtrohen nga KV-të, si dhe marrjes së informacionit për ndarjen e tokës nga struktura të ndryshme shtetërore dhe nga shtetas. Ky komision gjithashtu do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, si dhe do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga KV-të për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për kalimet ose ndryshimet e sipërfaqes së tokës bujqësore nga njëri qark te tjetri, nga njëra komunë ose bashki te tjetra, nga njëri fshat te tjetri dhe të ndryshimeve të tjera të tokës, të destinuara për ndarje. KQT-ja gjithashtu u propozon organeve eprore dhënien e masave disiplinore dhe administrative ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij.
Me vendimin më të fundit që mori qeveria, kompetencat i hiqen zëvendëskryeministrit, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës. Tashmë ato menaxhohen nga ministri i Shtetit për Reformat. Gjithsesi, një ndryshim i tillë, ligjërisht duhej bërë me abrogimin e paketës ligjore për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë”, ku të saktësohej kompetenca e shtuar e ministrit të Shtetit. Verifikimi i titujve të lëshuar sipas Ligjit 7501 është udhëhequr deri para disa kohësh nga zoti Genc Pollo, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në kabinetin e kaluar të zotit Berisha.
Ligji “Për verifikimin e titujve të pronësisë” është miratuar me kundërshtimet e opozitës, e cila votoi kundër paketës ligjore në korrikun e vitit 2008.

Kushtetuesja rrëzon pjesërisht Avokatin e Popullit për titujt e pronësisë

Gjykata Kushtetuese zhvilloi më datë 22 shtator seancën e parë të gjykimit, marrë shkas nga ankimimi i Avokatit të Popullit mbi kushtetutshmërinë e ligjit që parashikon verifikimin e titujve të pronësisë për tokat e marra me Ligjin Nr. 7501, ose të tokave të ish-fermave. Kërkesa me objekt “Shfuqizimin si antikushtetues të Ligjit Nr. 9948, datë 7.07.2008, ‘Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’”, dhe “Shfuqizim i VKM-së Nr. 1269, datë 17.09.2008 ‘Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’”, u paraqit pranë trupit gjykues shoqëruar me argumentet për pranimin e saj. Avokati i Popullit deklaroi konstatimin se ligji në fjalë shkel gjashtë nene të Kushtetutës së Shqipërisë. “Ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike. Ligji është në kundërshtim edhe me Nenin 7 të Kushtetutës, normë që parashikon një nga parimet bazë mbi të cilin organizohet dhe funksionon një shtet me tipare demokratike, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ligji është në kundërshtim me Nenin 41 të Kushtetutës, në të cilin parashikohet mbrojtja dhe garantimi i një prej të drejtave themelore të njeriut: ajo e pronës private. Ligji është në kundërshtim edhe me Nenin 42/2 të Kushtetutës, Nenin 15/1, 17 dhe 5 i Kushtetutës”, - thuhet në kërkesë. Ndërkohë, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi kërkesën e dytë të subjektit kërkues për pezullimin e ligjit dhe vendimit deri në vendimmarrjen nga Gjykata Kushtetuese. Palët e interesuara në këtë çështje: Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Nazmi Driza dhe shoqëria “Dudaj Konstruksion” paraqitën pretendimet e tyre “pro” dhe “kundër” kërkesës së Avokatit të Popullit. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe bëri pyetje sqaruese mbi çështjen, trupi gjykues u tërhoq për të marrë një vendin mbi këtë kërkesë.

box 1
Komisioni fut në sitë pronat në bregdet

Të gjitha pronat në vijën e parë të bregdetit do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga Komisioni qeveritar i ngritur për vërtetësinë e tijve të pronësisë. Edhe këto prona janë përfshirë në objektin e punës së Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë. Për këto prona ka më shumë kontestime, gjë që e ka detyruar qeverinë që të rishohë të gjithë dokumentet e pronësisë. Shumë shpejt pritet që të futen në sitë të gjitha pronat në zonat turistike. Ato do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura si dhe pronat e tjera në truall apo tokë bujqësore, për të cilat ka më shumë se një pronar.

Box 2
Pronësia, hiqen 68 mijë m2 tonë nga komisioni

Deri tani është anuluar pronësia për një sipërfaqe prej 68 mijë metrash katrorë. Të dhënat kanë dalë nga Komisioni Qeveritar i Tokës. Më së shumti këto toka janë ndarë duke abuzuar me Ligjin 7501 për ndarjen e tokave, një ligj mjaft i debatuar në Shqipëri, bëri të ditur MBUMK. Ministra e Bujqësisë është shprehur se me këtë ligj nuk do të preken ato tituj pronësie që janë dhënë në bazë të ligjeve në fuqi, por të gjithë ata që kanë abuzuar dhe kanë përfituar në mënyrë të padrejtë. Procesi i heqjes së pronësisë për qytetarët nga komisionet qeveritare ka bërë që të shtohet volumi i punës në gjykata për çështjet e pronësisë. Sipas burimeve zyrtare, mbi 200 vendime kanë shkuar në gjykatë, pasi pronarët kanë pretendime për dhënie vendimesh të padrejta nga komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë.

Ligji
Objekti i vlefshmërisë ligjore të tokës në pronësi

1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te:

a) sipërfaqet, që më dt. 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar.

b) Sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”.

c) Sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në Ligjin Nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

2. Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›