E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita shqiptare duhet të qëndrojë në Parlament

18/06/2010 Eurodeputeti austriak Strasser

Kryetari i delegacionit austriak në Grupin e Partive Popullore Evropiane, njëherësh anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Ernst Strasser, në një mesazh dërguar ditën e djeshme Kryeministrit Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare. Duke iu referuar konfliktit politik në vendin tonë, Strasser thekson se situata politike në Shqipëri është e dëmshme për vendin dhe e dëmshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Ai ka vlerësuar si pozitiv kthimin e opozitës në Kuvend, por nënvizoi si tepër të rëndësishëm qëndrimin dhe pjesëmarrjen e saj në jetën parlamentare, si një opozitë demokratike që merr përgjegjësitë e saj si legjislator dhe përfaqësues i njerëzve seriozisht. “Mirëpres të gjitha masat e marra nga qeveria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe e inkurajoj të vazhdojë atë punë dhe ta përforcojë atë. “Shqipëria duhet të kapërcejë të gjitha vështirësitë dhe të punojë bashkë në Parlament për një të ardhme më të mirë. Kryeministri Berisha është njeriu i duhur në vendin e duhur dhe ka mbështetjen time të plotë”, ka nënvizuar kryetari i delegacionit austriak në Grupin e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian. Në këtë mesazh, ai ka theksuar se shpreson që Shqipëria të ndërmarrë të gjitha hapet e nevojshëm në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian. “Unë shpresoj sinqerisht se Shqipëria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta drejtuar vendin drejt anëtarësimit në BE. Është koha për Shqipërinë t’i bashkohet familjes evropiane, dhe familja politike e PPE-së do të jetë aty për ta mbështetur dhe ndihmuar atë”, ka deklaruar eurodeputeti austriak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›