Opozita sulmon kompanitë e huaja, por kryebashkiakët e tij vjedhin fondet e qeverisë
Prezantohen kandidatët për deputetë të mazhorancës, në Patos të Qarkut të Fierit. Berisha: “Edi Rama po ringjall hijen e së kaluarës”
“Rama ka sulmuar një kompani të huaj që i paguan shtetit shqiptar taksa 200 milionë dollarë në vit, me të cilat ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, kompani e cila ka bërë në këto zona 800 milionë euro investime. Të vish dhe të kërcënosh kompanitë e huaja nuk bën gjë tjetër veçse ringjall hijen e së shkuarës”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mitingut elektoral për prezantimin e kandidatëve për deputetë në Patos se kreu i Partisë Socialiste shpif e trillon në çdo deklaratë që bën në fushatë. Sipas kreut të qeverisë, Rama gjatë mitingut të zhvilluar në Patos ka sulmuar kompanitë e huaja që investojnë në këtë zonë. “Rama ka sulmuar një kompani të huaj që i paguan shtetit shqiptar taksa 200 milionë dollarë në vit, me të cilat ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime. Kompani e cila ka bërë në këto zona 800 milionë euro investime. Të vish dhe të kërcënosh kompanitë e huaja nuk bën gjë tjetër veçse ringjall hijen e së shkuarës. Nuk ka vend në botë, as SHBA, që është zhvilluar pa pjesëmarrjen e investimeve dhe kapitalit të huaj në të katër anët e saj”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu akuzoi kryetarin socialist të bashkisë, për vjedhje të fondeve të ujësjellësit. “Shoku i autobusit, kudo që shkon nga xhamat e autobusit mavi, Shqipëria i duket mesjetë. Sot i them dy fjalë. Banorët e Patosit, në mënyrën më të pamerituar vuajnë për ujë, dhe kjo sepse kreu i bashkisë që ka në administrim ujësjellësin e vjedh për veten e vet. Nëse ky kryetar nuk donte ta administronte ujësjellësin duhet t’ia linte në dorë qeverisë. Siç bën kreu i bashkisë së Durrësit, që ia la qeverisë dhe sot qeveria inauguroi një ujësjellës në Durrës”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar se, “Qeveria e PD-së trefishoi grantet për bashkitë. Këta zotërinj i shndërruan në rroga për punonjësit e vet dhe jo investime për ju. Pastaj kryetari i tyre kalon dhe thotë kjo është mesjetë. Këtu është papërgjegjshmëria e plotë e zyrtarit tënd socialist, i cili të investojë sa më shpejt paratë për ujësjellësin, ose t’ia dorëzojë qeverisë”. “Pse shan administratën në mitingje ai. Kur ai vetë sot në mitingun që bëri në Patos kishte në secilin krah të vetin drejtorë, prestarë të administratës së qeverisë Berisha. Çfarë do thotë për ata, nuk janë robër ata drejtorë. Ai shpif, trillon, njerëzit nuk duhet ta dëgjojnë dhe të njëjtat gjëra thotë vazhdimisht. Është bërë si pllakë gramafoni, ngado e kthen të njëjtat gjëra thotë. Nuk ndaloj asnjë unë të dalë në mitingje. Ne do bëjmë fushatë të qytetëruar, të bazuar në argumente, një fushatë që ka në themel besimin tek fuqia juaj, liria ekonomike, dhe përpjekjen e madhe që ajo të ketë sukses. Ndaj ju ftoj që më 23 qershor të votoni numrin 44, votoni PD, votoni fitoren”, tha Berisha.
Ndërkaq, duke u ndalur te objektivat e qeverisë në katër vitet e ardhshme, Berisha mandati i ardhshëm do të jetë mandati i punësimit të fuqishëm të qytetarëve shqiptarë. “Rritjen e punësimit e bazojmë tek ulja e mëtejshme e taksave. Pak vite më pare vendosëm barrën fiskale më të ulët në botë. Taksën e të dhjetave. Anëtarësimi në NATO dhe taksa e sheshtë bënë që bizneset e vogla të rriten me 50% dhe bizneset e mesme dhe të mëdha të rriten me 250-300%. Tani hoqëm çdo taksë mbi çdo makineri, çdo material që bizneseve u duhen për prodhim. Ulëm me 20% koston e investimeve të bizneseve për prodhimin dhe kjo do të sjellë zgjerimin e tyre”. Kemi mundur të tërheqim, vijoi kreu i qeverisë, “4.2 miliardë dollarë investime. 4 vitet që vijnë jemi të vendosur të thithim së paku 6 miliard dollarë investime. Projekte të mëdha kanë nisur dhe nisin së shpejti. Kaskada e Devollit do të nisë ndërtimin. Shumë herët do të merret vendimi për gazsjellësin TAP, i cili do të punësojë mijëra e mijëra qytetarë dhe do të fillojë procesi i gazifikimit të plotë të familjeve shqiptare. Në këtë mënyrë ulet kostoja e jetesës, e energjisë për gatim dhe ngrohje. Shqipëria do të jetë një nga vendet e zhvilluara me gazifikim të plotë”. “4 vitet që vijnë do të punësojmë masivisht qytetarët, fermerët tanë në fermat e tyre. Financuam 45 mijë grante të fermerëve shqiptarë. 4 vitet që vijnë, për të rritur punësimin, do të trefishojmë grantet për bujqësinë, do të ndërtojmë sistemin më modern vaditës. Nga 56 milionë dollarë do të financojmë 165 milionë dollar”, tha Berisha. “Në të katër anët e vendit, vijoi Kryeministri, “do të ndërtohen dhe po ndërtohen qindra HEC-e, ku do të punësohen së paku 30 mijë qytetarë. Do të shkojmë drejt dyfishimit të turizmit që punëson sot 150 mijë qytetarë. Shqipërinë e sollëm në moshën dixhitale. Sot në këtë fushë do të punësohen së paku 26 mijë qytetarë në mbarë vendin”.
Sokol Olldashi: “Rama model i dështuar, shqiptarët s’do pranojnë shtetëzimet si në kohën e komunizmit”/Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, kandidat për deputet i Partise Demokratike në qarkun e Fierit tha se, alternativa e Partisë Demokratike është alternativa për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Gjatë mitingut elektoral, zhvilluar pasditen e së shtunës në Patos, Olldashi tha se, “Partia Demokratike po e çon Shqipërinë përpara. “Kemi ndërtuar qendra shëndetësore, shkolla dhe rrugë pasi ne e duam Shqipërinë të zhvilluar dhe të integruar. Ne kemi investuar kudo pasi duam qe Shqipëria të ecë përpara”, theksoi Olldashi. Me tej, Olldashi foli për opozitën, duke e cilësuar modelin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, një model të dështuar. “Shqiptarët e kanë parë, kur ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe rriti taksat për qytetaret dhe bizneset”, tha Olldashi. “Patosi do të votojë kundër Edi Ramës pasi nuk do ia falë protestat që ai bëri kundër Natos dhe liberalizimit te vizave me Bashkimin Evropian. Patosi do të votoje kundër Edi Ramës, pasi nuk do të pranojë shtetëzimet si në kohën e komunizmit” - tha Olldashi.
Kandidati i PD në Fier, Kozma Dashi, premton sistemimin e lumit Gjanica/Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, Kozma Dashi, gjatë një takimi me banorë të lagjes “1 Maji” në Fier ka folur për një nga problemet shqetësuese për qytetin dhe veçanërisht për lagjen e tyre, lumin Gjanica, përmbytjet e përvitshme të te cilit kanë shkaktuar një dëm të madh financiar. “Qeveria Berisha e ka në programin e saj sistemimin e lumit Gjanica gjatë këtij mandat 4 vjeçar. Atë që nuk e bëri qeverisja socialiste lokale për 10 vjet, do ta bëjmë ne. Është për të ardhur keq që qytetarët fierake paguajnë taksa lokale dhe pushteti vendor nuk ka kontribuar asnjë lek për lehtësimin e dëmit të tyre nga përmbytjet”- tha Dashi. Lumi Gjanica është shndërruar në një nga problemet kryesore të banorëve të lagjes “1 Maji” të Fierit, për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme që ky lum shkakton në këtë zonë. Prej vitesh, Bashkia e Fierit s’ka kryer asnjë investim në këtë pjesë nevralgjike të qytetit, duke i lënë banorët në mëshirë të fatit si dhe përballë forcës së natyrës.