Në fokusin tim të këtyre ditëve: qetësi, mirëkuptim e qytetari në disa zyra elektorale të Kryeqytetit
Edhe dy javë na ndajnë nga 23 qershori, dita e zgjedhjeve. Fushata elektorale sa vjen e ndizet dita-ditës më shumë. Tashmë, ajo ka përfshirë në vorbullën e vet zgjedhësit e të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve, të të gjitha shtresave, fshatarin e qytetarin. Flamurët e partive konkurruese, logot e programeve të tyre dhe posterat elektoralë, shpërndarë anekënd vendit, synojnë të tërheqin votën e të gjithëve, kudo ku ka një bashkësi zgjedhësish. Vota e secilit syresh mund të jetë vendimtare për fatin e njërit ose të tjetrit krah politik. Ndërkohë, tensionet dhe incidentet e padëshiruara që ndokush do të dëshironte t’i cyste, madje – pse ta fshehim? - ka tentuar t’i cytë qoftë me fjalime të dhunshme, qoftë me dhunë të drejtpërdrejtë, fatmirësisht janë përfillur fare pak ose kanë përfunduar si flakë kashte, falë shpërfilljes, por falë edhe gatishmërisë së organeve të ruajtjes së rendit. Të vjen keq të mësosh se këndej apo andej dikush ka grisur një flamur, dikush ka hedhur përtokë një poster elektoral, duke thyer edhe një xham. Asnjërës palë nuk do t’i vlenin akte të tilla barbare, siç, fatkeqësisht, do të gjykonte ndonjë militant i papërgjegjshëm, të cilin do ta quaja më parë keqbërës, sesa militant i çartur. Përkundrazi, ato damkosin dhe dëmtojnë barabar në sytë e opinionit publik si njërën, ashtu edhe palën tjetër.
Përkundër tentativave të tilla që bartin vulën e përçarjes dhe të armiqësive dhe që do të ishin fatale për secilën palë që i mbështet drejtpërdrejt ose tërthorazi, pak ditë më parë pamë gjestin qytetar të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili u kthye në zyrën elektorale të kundërshtarëve të vet politikë të përshëndeste miqësisht të pranishmit dhe ish kolegen, zonjën Lindita Nikolli, kandidate për deputete e Partisë Socialiste. “Tango” të shkurtër politike, do ta quante me të drejtë një gazetar i njohur, i cili, gjithashtu me plot të drejtë, vërente se pakkush, në mos askush prej aktorëve të pranishëm në mediat e shkruara e vlerësoi gjestin e dy personaliteteve me peshë të dy partive kundërshtare në lojën e sotme elektorale. Mësojmë se, edhe në radhët e opozitës së majtë ka pasur qëndrime të njëjta. Kopjim? Aspak. Vetëm njerëzi dhe qytetari. Ja çka do të thotë t’i shtrish dorën kundërshtarit politik. Vërtet që politika i ndan njerëzit sipas bindjeve të tyre. Por në të mirë të komunitetit, si garë mes më të zotëve. Përkundrazi, përçarjet dhe konfliktet janë të rrezikshme, madje të papranueshme për traditën tonë zakonore.
Zyrën elektorale të Partisë Demokratike, e cila përmbledh zonën e NSHRAK-ut, në njësinë bashkiake nr. 7 të Kryeqytetit, nuk e gjen asnjëherë të zbrazët. Mblidhen atje banorë të pallateve përreth e bisedojnë miqësisht njëri me tjetrin, pavarësisht përkatësive politike. Si banor i zonës, këtë e them me bindje, pasi njoh shumë ithtarë të PD-së, sikurse njoh po aq të PS-së, të PR-së, të LSI-së etj. 2680 zgjedhës ka gjithsej zona, të shpërndarë në katër qendra votimi (1900, 1900 / 1, 1900 / 2, 1900 / 3). Ç’do të bëhej sikur fqinji të hahej me fqinjin për shkak të përkatësisë politike? Atë e zgjidh më së miri vota e lirë, pronë e gjithkujt. Cilido krah politik që t’i fitojë zgjedhjet, mirë ose keq për njërin a për tjetrin, njerëzit aty do të banojnë, me njëri-tjetrin do të japin e do të marrin. Mos u habit, i nderuar lexues, të të them se pak më tej ndodhet zyra elektorale e Partisë Socialiste. Edhe atje, pak a shumë e njëjta pamje, pak a shumë po ato fytyra të njohura. Në rastin konkret, do të ishte mëkat të lavdëroja njërën zyrë e të baltosja tjetrën, kur vetë përfaqësuesit e të dyja partive i gjen të pinë kafe së bashku, pavarësisht detyrave që secili i kryen sipas përkatësisë së vet partiake. Grupet e patronazhit me të rinj, anëtarë të forumeve rinore përkatëse, bisedojnë veçmas me banorët e pallateve dhe bëjnë propagandën e tyre. Ama fushata kalon e qetë. “Vota do të vërtetojë cila palë ka të drejtë,- më tha pronari i kafenesë, nip i derës së madhe të Like Rehovës, atdhetari i njohur në krahinën e Beratit, i cili ka pas pritur luftëtarët e lirisë pa dallim feje, krahine dhe ideje.” Në treditën e gjyshërve, tryezat e lokalit të tij i gjen gjithherë plot, ku i djathti e i majti nuk e shohin shtrembër shoku-shokun. S’di sa është e vërtetë, por njëri ndër miqtë e mi të shumtë më tha se të dy palët kanë qejf të bëjnë një ndeshje futbolli. Pse jo? Le ta fitojë cila palë të jetë më e përgatitur...
Thuajse të njëjtën gjë thonë në zyrën elektorale të Partisë Republikane të së njëjtës njësi bashkiake, asaj nr. 7, e cila mbulon të 97 qendrat e votimit, vendosur në shkollën 9-vjeçare At Zef Pëllumbi, ku do të votojnë 54300 votues. Edhe këta thonë se mbajnë marrëdhënie të mira me të gjitha forcat politike. Madje, këta shtojnë se raportet e mira i gjejnë edhe mes intelektualëve me përkatësi të ndryshme partiake, edhe mes shtresave të ndryshme shoqërore, edhe mes banorëve me prejardhje nga të gjitha rrethet e vendit e më tej, të cilët kanë populluar ndërtimet e shumta të viteve të fundit. Zyra elektorale ka gjetur mënyra të larmishme dhe mjaft efikase trajtimi për çdo bërthamë familjare dhe për çdo individ në veçanti. “Falë propagandës që zhvillohet në kufijtë e qytetarisë, falë edhe ndërgjegjësimit të gjithkujt për të drejtën e votës, - thonë Turi e Patrioti, - të gjithë shpresojmë se sivjet pjesëmarrja në votime do të jetë e lartë, ndonëse popullata gati është dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara”.
U ndodha të enjten e shkuar në takimin e zhvilluar nga zyra elektorale e Partisë Demokratike, në rrugën Medar Shtylla, mu në hyrje të zonës që, për fat të keq, njihet ende me emrin “Komuna e Parisit”, një simbol i historisë së lëvizjeve komuniste botërore të afro dy shekujve përpara. Banorët e zonës aty përreth takoheshin me kandidatët për deputetë të PD-së, zotërinjtë Halim Kosova e Kastriot Islami. Lokalin, ku shpesh pimë kafe me kolegët e gazetës 55, e kemi quajtur mes nesh “Vrima”. Një marrëveshje e pashkruar, për lehtësi takimi. - Ku? Te “Vrima”. - Lokali, pronë e vëllezërve nga Fushë-Arësi, ishte mbushur plot e përplot, aq sa nuk gjeta shteg për të hyrë brenda, ndonëse miku im, Besniku, koordinator i zyrës elektorale me strukturat e partisë, më bënte shenjë së brendshmi të çaja me bërryla. Ishte e pamundur. Atëherë më përshëndeti me dy gishtat e fitores, simbol, tashmë, i demokracisë. Me shaka, iu përgjigja me anë të një SMS-je: “Mos, se po të pa Edi Rama, do të urdhërojë të vetët të t’i shkulin gishtat me helikopter!” Me shaka apo pa shaka, gati janë falangat e së keqes, të mbjellin farën e armiqësive, të ndezin konflikte të reja si atë të 21 janarit, pavarësisht në ua pranon ose jo baza e tyre paqësore.
M’ u desh, pra, të kënaqesha me një fotografi, së jashtmi. U bënë shumë pyetje e u dhanë shumë përgjigje që, për fat të keq, nuk munda t’i regjistroja, por e përgjithshmja ishte se edhe atje mbizotëroi qetësia dhe mirëkuptimi qytetar, ndonëse njësia bashkiake nr. 5, njihet si bastion i së majtës dhe beteja elektorale pritet të jetë vendimtare, si Beteja e famshme e Vaterlosë...