“Strategjia nuk mund të dalë nga titujt e editorialeve, humbësin Edi Rama e shpëton një amnisti në PS”

Andis Hrasani, komenton zhvillimet e pritshme në PS, në prag te sesionit të ri parlamentar
Andis Harasani, deputet i PS-së i cili ndryshe nga deputetët e tjerë të kësaj partie nuk e ka zbatuar bojkotin e opozitës, duke qenë i pranishëm në seancat e fundit parlamentare, në një intervistë për mediat ka komentuar zhvillimet politike brenda PS, ndryshimet kushtetuese, si dhe rrugët që duhet të ndjekë PS tashmë e në vazhdim.
Ai ka theksuar se grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk është mbledhur ende dhe se kryesia e PS ka vite që nuk mblidhet.
Sipas tij, strategjia e PS-së nuk mund të dalë nga titujt e editorialeve.
Lidhur me idenë e amnistisë, që propozon Fatmir Xhafaj, për “të pabindurit” e PS-së, Harasani, sqaron që kjo amnisti duhet të shpallet për Edi Ramën, i cili, midis të tjerave, premtoi bashkimin e opozitës, kur erdhi në krye të PS-së, por bëri të kundërtën, e përçau.
Për Andis Harasanin, nuk ka asnjë dyshim, që Edi Rama, është humbës i zgjedhjeve vendore, biles, duke llogaritur që edhe në Tiranë, ai është humbësi kryesor dhe i vetëm me, 23 990 vota.
Andis Harasani, injoron pretendimet e PS-së, për ndryshime kushtetuese, ndërsa këmbëngul, që e rëndësishme është koalicioni me LSI-në.
Në cilësinë e deputetit të partisë socialiste duhet të jeni kontaktuar nga kryetari i PS ashtu si deputetët e qarqeve të tjera për prezencën ditën e hënë në kuvend?
Nuk kam pasur asnjë kontakt. Më vjen keq që akoma nuk është mbledhur grupi parlamentar i PS-së. Seanca e parë parlamentare e cila do të zhvillohet të hënën më datë 5, mendoj se do ishte gjëja më normale që grupi parlamentar i PS-së duhet të ishte mbledhur ndoshta disa herë brenda kësaj jave për të diskutuar për strategjinë e re për të rrahur mendimet.
Me qënë se do të flasim për kursin e ri, si pjesë e kursit është dhe thyerja e politikës së bojkotit. Të hënën kolegët tuaj do të jenë në sallën e Kuvendit. A ndjeni një lloj, nuk mund të them kënaqësie, por gjithsesi pritshmëritë tuaja me atë që kishit kërkuar në krye të herës për t’i dhënë fund politikës së bojkotit?
Në radhë të parë partia socialiste është partia më e madhe. Kur bëhet fjalë për një strategji të re unë me një herë ndalem te një strategji editorialesh. Kur bëhet fjalë për një strategji të re duhet mbledhur, Asambleja, grupi parlamentar, duhet diskutuar për sekretariatin, duhet rënë dakord kush është strategjia e re dhe mendohet që kësaj strategjie të re t’i vihet një pikë. Ajo çka po ndodh me Partinë Socialiste, më vjen keq, uroj që të mos ndodhë me kursin e ri ajo që ndodhi me politikën e re. Unë në fakt nuk e dija ende që do marrin pjesë në parlament.
Dyshoni që do të keni një alternativë brenda parlamentit?
Do të jemi një alternativë në parlament për arsyen se që nga momenti që PS-ja udhëhiqej nga Edi Rama nuk kam parë asnjë moment një alternativë që të ketë një luftë një përplasje idesh me palën tjetër me pozitën sot. Prandaj dyshoj që do të ketë një pjesëmarrje në parlament. Unë uroj vërtet që partia socialiste të kthehet në parlament dhe të kthehet vërtet në vlerat e saj.
Brenda PS-së, brenda forumeve të partisë socialiste nuk duhet të harrojmë dhe kërkesat që ka shprehur Kastriot Islami, Arben Malaj apo Edlira Haxhiymeri kanë komentuar përmes medias dhe jo në një komunikim zyrtar të Partisë socialiste?
Kemi folur aty ku kemi mundësinë, unë, Kastriot Islami, Arben Malaj, Edlira Haxhiymeri, Erion Braçe. Për sa kohë zëri i tyre, për sa kohë të vetmet mbledhje që bëhen mbledhjet e Asamblesë apo Kongresi, mediat lejohen vetëm kur flet kryetari dhe për sa kohë që nuk kuptohen nuk dëgjohen nuk merren vesh se çfarë bëhet, atëherë ne detyrohemi të flasim jo zyrtarisht brenda PS. Unë e kam thënë shpesh se politika që ka zgjedhur Edi Rama tregoi se nuk ishte politika e duhur. Fakti i humbjes së zgjedhjeve lokale të 8 majit tregoi se politika e Ramës nuk ishte e duhura.
Si e keni pritur ju, deklaratat më të fundit që ka bërë Sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, i cili ka hedhur për herë të parë idenë e një amnistie politike brenda një force politike?
Lexova me vëmendje intervistën e kolegut Xhafaj. Jam i bindur që është nisur nga motive të mira për amnisti. Unë dhe Kastriot Islami nuk kemi bërë ndonjë faj. Amnistia është për dikë që është dënuar me gjyq.
Keni thyer disiplinën brenda PS...?
Nuk është e vërtetë që kemi thyer disiplinën. Nuk ka asnjë moment kur ne kemi qenë prezent. Zgjedhja e bojkotit ka qenë një deklaratë e Edi Ramës. Ka deklaruar se ne kemi marrëdhënie të kufizuar me partinë. Amnistia mund të jetë për Edi Ramën pasi erdhi në krye të PS me premtime që do të bashkojë të majtën por e përçau më keq. Ndoshta dhe ky është shkaku që duhet të amnistojmë Edi Ramën. Ai duhet të pendohet për ndryshimet kushtetuese. Duhet të ketë një amnisti për vendimin e marrë nga Edi Rama për të mos shkuar në parlament vendim i cili po thyhet.
A i ruani kontaktet me deputetët e PS-së?
PS nuk është selia por ka rëndësinë e vet. Unë mendoj se strategjia, filozofia që do të mbajë në dorë trëndafilin e PS-së për të ardhur nip pushtet, vërtetoi se nuk është filozofia e duhur. Unë mbaj kontakt me socialistët, dhe me ata deputetë të cilët u porositën të mos takohen me ne kjo është e kuptueshme.
Kjo do të thotë se keni mbështetje edhe eksplicite?
Sigurisht!
A ju shqetëson kriteri personal i juaji....?
Jo aspak. Nuk kam lindur deputet nuk do vdes deputet. Misionin që kam brenda PS e kam përmbushur.
Kursi i ri i Edi Ramës sipas jush, çfarë është... ?
Justifikimet që na u vodh vota s’na u vodh vota janë të lodhshme për këdo. E krahasoj me një ndeshje futbolli kur ekipi që humbet thotë që humbet penalltinë. Për sa kohë biem dakord duhet të pranojnë rezultatin. Dhe për sa kohë nuk pranohet rezultati dhe nuk analizohet pse humbëm këto zgjedhje, për sa kohë që nuk thuhen gjërat siç duhet më vjen keq që flasim.
Marrë me shkurtime nga ABC NEWS