Uji po “braktis” Shkodrën, shtohen hektarët pa ujë
Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu njëkohësisht kryetar i Komisionit të Emergjencës Civile të qarkut tha sot se “përmirësimi i kushteve të motit ka favorizuar në stabilizimin e situatës në zonat e përmbytura, ku niveli i ujit po tërhiqet nga dita në ditë duke liruar sipërfaqe të konsiderueshme të tokave të përbytura” ."Niveli i ujit ka rënë edhe në shumë banesa, ç'ka po i jep mundësi një pjese të banorëve që të rikthehen në banesat e tyre", sqaron ai. Sipas Cungut përmirësimi i dukshëm i motit i ka dhënë mundësi strukturave të shtabit të emergjencës civile pranë prefekturës së Shkodrës të vijojnë me intensitet të plotë zbatimin e planeve operacionale për në drejtim të shpërndarjes së ndihmave.“Një vëmendje e veçantë po i kushtohet furnizimit me ushqim të bagëtive të cilat janë një nga mjetet e jetesës për banorët e zonave të përmbytura” u shpreh Cungu duke falenderuar të gjithë ato shtete, organizata, institucione dhe individë që kanë kontribuar për Shkodrën në këtë periudhë të vështirë. Mësohet se forca të specializuara të ushtrisë dhe policisë, të mbështetur edhe nga ekipe të tjera të ardhur në ndihmë nga vendet fqinj po punojnë në përforcimin dhe ndërtimin e pjesëve të reja të argjinaturave të lumit Drin dhe Bunë. Që prej fillimit të vitit, rajoni i Shkodrës, u përfshi nga përmbytje të cilat erdhën si pasojë e reshjeve të dendura që detyruan hapjen e portave të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin. Më të dëmtuara nga përmbytja renditen komuna Dajç, Bregu i Bunës, Ana e Malit, Bushat, Velipojë. Edhe gjatë ditës së sotme vijon operacioni për shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e zonës së dëmtuar nga përmbytjet, sipas planit të përcaktuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.