E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita të shkojë në Kuvend, të kontribuojë për reformat

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt u është bashkuar dje zërave të tjerë ndërkombëtar, që i bëjnë apel opozitës socialiste për të zënë vendet e saj në Kuvend. Pas deklaratave të një dite më parë të shefit të OSBE-së në Tiranë Robert Bosch dhe Ambasadorit të KE, Helmut Lohan, kërkesën drejtuar Partisë Socialiste për të qenë në Kuvend dhe për të respektuar raportin e OSBE-ODHIR lidhur me zgjedhjet, e ka ripërsëritur dje edhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri Robert Borchardt. "Opozita duhet të jetë e pranishme në Kuvend sepse vendi i saj është aty. Bashkimi Evropian ka dhënë një deklaratë mjaft të qartë lidhur me zgjedhjet dhe rekomandimi im është që të shohim drejt së ardhmes, në të njëjtën kohë ato rekomandime që janë bërë në raportin e OSBE-ODHIR të merren dhe të zbatohen. Sigurisht për një gjë të tillë janë të nevojshme vendimet që merren në parlament dhe për shumë nga këto vendime, nevojitet një shumicë e cilësuar në parlamentin shqiptar. Këtu mund të përmend disa pjesë të reformës në drejtësi, mungesa e opozitës do ta vështirësonte shumë këtë proces të rëndësishëm për shkakun e vetëm sepse nevojitet shumica e cilësuar", tha ambasadori.

Sipas tij, bojkoti do të krijonte vetëm probleme në fushën e reformave

Në argumentin e tij ai iu referua mos arritjes së shumicës së cilësuar në Kuvend, një mekanizëm që përdoret kur votohen ligje të rëndësishme. Duke qenë se votat aktuale të mazhorancës janë vetëm 74 nga 140 gjithsej, Bernd Borchardt kërkoi që në diskutimin dhe votimin e ligjeve të rëndësishme si pjesë e reformave të ishin dhe deputetët socialistë. Duke iu referuar reformës në drejtësi një nga kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, Borchardt deklaroi se bojkoti i Partisë Socialiste do të bëhet pengesë jo vetëm për të, por dhe për mjaft nisma të tjera ligjore të integrimin e vendit. "Sigurisht që për një gjë të tillë janë të nevojshme vendimet që ndërmerren në parlament. Për shumicën prej tyre nevojitet një shumicë e cilësuar e votave. Për disa pjesë të reformës në drejtësi kjo do ta vështirësonte punën", tha kryediplomati gjerman në Tiranë. 

Ai ka tentuar që të bindë edhe shumicën se për një pjesë të kërkesave që bën opozita mund të kishte dhe zgjidhje ligjore. "Nuk jam nje ekspert i Kushtetutës dhe kodit zgjedhor shqiptar ndaj dhe nuk mund të jap një vlerësim në lidhje me këtë. Por megjithatë ka edhe kërkesa të tjera të opozitës, të cilat mund të zbatoheshin dhe viheshin në jetë. Po përmend p.sh, ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiove e Televizioneve, KKRT, apo të Bordit Drejtues të Radio Televizionit Publik, RTSH. Pra, ka disa kërkesa që nga ana ligjore mund të realizohen", komentoi dje në Tiranë ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›