Berisha: Lëvizja e lirë e shqiptarëve, një objektiv i shpejtë i kabinetit qeveritar
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin, kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar se lëvizja e lirë e shqiptarëve mbetet një arritje madhore që do të realizohet brenda vitit të parë të mandatit të dytë
Komiteti i Ndërministror i Integrimit u mblodh dje, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, për të shqyrtuar të gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit është thirrur për të shqyrtuar të gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave.
“Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë, përbën një nga arritjet më madhore të shqiptarëve, e pritur në shekuj. Ndaj, përmbushja e çdo detyrimi që rrjedh nga ky proces është detyrë e të gjitha detyrave tona. Qeveria, agjencitë që varen prej saj dhe institucione të tjera, në funksion të kërkesave të Komisionit Evropian për heqjen e vizave janë të detyruar të programojnë të gjitha burimet për të zbatuar masat e kërkuara. Klima është pozitive. Ka vlerësim real për arritjet, por ka edhe çështje që duhet të zgjidhen” u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha vijoi më tej duke thënë që në programin e qeverisë tij, zotimi është që brenda vitit të parë të këtij mandati të merret vendimi për heqjen e vizave. Më tej Berisha shpjegoi edhe përse Shqipëria nuk u klasifikuar në tre vendet e para, duke thënë që është e qartë, pasi nuk mund të mohohet, që ne në reformën e dokumenteve të identitetit kemi qenë më mbrapa se sa vendet për të cilat u mor vendimi në muajin korrik. Megjithatë, shtoi ai, konstatoj se ky proces po ecën me ritme të shpejta, madje mund të them me ritme më të shpejta nga ç’mund të parashikohej. Janë printuar mbi 190 mijë pasaporta biometrike, aplikimet shkojnë në 201 mijë dhe janë tërhequr rreth 150 mijë pasaporta biometrike nga qytetarët.
“Është rasti që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët për qëllime të ndryshme udhëtojnë jashtë shtetit, që t’i marrin këto pasaporta në mënyrë që të realizohet numri më i lartë i mundshëm i pajisjes me pasaporta biometrike. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës, të cilët për një arsye apo për një tjetër dalin jashtë shtetit, të jenë të parët që t’i marrin pasaportat biometrike, pasi përqindja apo numri i këtyre pasaportave është një kriter i rëndësishëm në vendimin e Komisionit Evropian.” theksoi Kryeministri Berisha.
Ndër të tjera kreu i shteti tha se, ne do të shqyrtojmë Raportin e dytë të Progresit të bërë në plotësimin e këtyre kritereve.
“Pritet që të vijnë të dërguar të Komisionit Evropian për të vlerësuar situatën në vend. Ata do të kenë takime të zgjeruara me agjencitë dhe duhet të përgatitemi që t’u japim përgjigjet më të drejta dhe më të sakta,ti njohim me të gjithë situatën” tha kryeministri. Duke shtuar se në tërësi puna për udhërrëfyesin ka ecur mirë, por ne duhet të bëjmë vlerësimin më maksimal.
“Klima është pozitive dhe shumë miq të Shqipërisë, përfshi dhe Parlamentin Evropian, kanë inkurajuar Komisionin. Unë jam i bindur se edhe vetë Komisioni Evropian e ka vullnetin të plotë, por mendoj se ka ndikuar çështja e pasaportave biometrike dhe çështja e zgjedhjeve. Kjo është normale, pasi në periudhë zgjedhore nuk merren vendime të mëdha për arsye se do të ndikonin në procesin zgjedhor. Sigurisht që është e ndershme dhe e drejtë që të ketë neutralitet dhe të mos ndikohet”, tha ndër të tjera kreu i shtetit në fjalën e tij dje në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin.
...