E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, Greqia dhe Austria - mbështetje Shqipërisë për integrimin në BE

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka pritur në takime të veçanta ambasadorët e tre vendeve, Italisë, Greqisë dhe Austrisë, prej të cilëve ka marrë urime për detyrën, si dhe garanci për bashkëpunim të mëtejshëm.

Fillimisht Meta është takuar me Ambasadorin e Italisë në Tiranë Saba D`Elia, ku ky i fundit është shprehur se Italia do të jetë avokate e Shqipërisë.

Ambasadori D`Elia ka siguruar se Italia do të luajë rolin e veçantë si promotor kryesor dhe mbështetëse, në strukturat e larta evropiane, si për procesin e liberalizimit të vizave ashtu dhe për aplikimin për anëtarësi të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Meta dhe D`Elia ndanë së bashku vlerësimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera dhe rikonfirmuan vullnetin e ndërsjellë politik të dy qeverive për thellimin dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen.

Meta gjithashtu ka pritur në një takim Ambasadorin e Greqisë në Tiranë Nikolas Pazios. Në fokus të bisedës së zhvilluar ishte bashkëpunimi dypalësh, procesi i liberalizimit të vizave dhe aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Pazios ka siguruar se konsolidimi dhe thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, për vetë marrëdhëniet tradicionale dhe interesave të përbashkëta, është prioritet i natyrshëm dhe afatgjatë i politikës së jashtme të Greqisë. Ai ka theksuar se Greqia do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë dhe do të mbështesë pa rezerva integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

Mbështetje në rrugën drejtë integrimi ka dhënë edhe Austria gjatë takimi mes Ambasadorit të saj në Tiranë, Florian Raunig në takimin me Metën. Raunig ka theksuar se qeveria e tij do të vazhdojë të përkrahë brenda BE-së, përfundimin sa më të shpejtë të procesit integrues të Shqipërisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›