E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët shtetërorë - pa automjete, kursimi, 30 milionë dollarë në vit

Qeveria miraton projektligjin që rregullon transportin e zyrtarëve dhe të funksionarëve të shtetit

Kryeministri, Sali Berisha gjatë mbledhjes së  djeshme të qeverisë ka propozuar disa kushtëzime për transportin e zyrtarëve të vendit, duke i ndarë në tre kategori zyrtarët që përfitojnë një shumë për të siguruar transportin. 

Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë nismë të re të qeverisë, vlerësoi se projektligji vendos standarde të reja në shërbimin e transportit të zyrtarëve dhe funksionarëve të shtetit. “Ky ligj përcakton praktika dhe norma krejtësisht të tjera të standardeve të vendeve të civilizuara për transportin e zyrtarëve dhe funksionarëve. Ligji njeh detyrimin e shtetit dhe të qeverisë që të krijohen lehtësirat e domosdoshme për veprimtarinë e tyre të përditshme ofiqarëve të shtetit. Por ligji shkëput në mënyrë përfundimtare establishmentin shqiptar, zyrtarët dhe funksionarët e shtetit nga praktikat e trashëguara të nomenklaturës komuniste”, tha kreu i shtetit Sali Berisha.

Kryeministri Berisha, duke i cilësuar praktikat e deritanishme si unike në botë, tha se nëse i shton edhe abuzimet në këtë fushë, i shndërrojnë ato në praktika të rrezikshme për kodin etik të zyrtarëve të vendit. Kryeministri theksoi se, projektligji i jep gjithashtu përgjigjen e duhur abuzimeve në këtë fushë, duke theksuar se vendosja e kësaj praktikë të re kursen së paku 30 milion dollarë në vit. “Abuziviteti me këto praktika ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët. Ne duhet të bëjmë transparencën. Shpatullat e taksapaguesve shqiptarë nuk e përballojnë dot diçka të tillë. Ndaj krijohet një kod i ri etik thellësisht i qytetëruar dhe jashtëzakonisht ndihmues në etikën dhe moralin e administratës shtetërore, shkëputet nga një praktikë tërësisht jashtë kohe. E kam theksuar edhe një herë se mesatarja për shoferin në administratën shtetërore është 19 mijë dollarë. Nuk po listoj këtu mënyrat e abuzimit, sepse ky ligj i jep përgjigje përfundimtare dhe vendos një standard të qytetëruar evropian, për të cilin vendi ka nevojë jetike. Përveçse kursehen së paku mbi 30 milion dollarë në vit, vendoset një normë me vlerë qindra milion dollarë”, bëri të ditur ndër të tjera Berisha. 

Më tej, Kryeministri Berisha sqaroi disa aspekte të ligjit, duke thënë që, ky ligj lejon që të kenë në dispozicion automjet me targë zyrtare vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese, ministrat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Drejtori i Përgjithshëm të Policisë, Drejtori i Shërbimit Informativ. 

“Ligji nuk u jep të drejtën e targës zyrtare asnjë zyrtari tjetër për transportin e tij. Edhe në këtë grup ka dy propozime. I pari, që të drejtën e përdorimit të automjeteve jashtë zyre ia jep Presidentit, Kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit dhe jo zyrtarëve të tjerë” tha kryeministri. 

Kreu i shtetit prezantoi një propozim të dytë, që t’u lejohet targa zyrtare dhe t’u njihet e drejta e përdorimit jo zyrtar të automjetit, bëhet fjalë për fundjavat, me kushtin që duke filluar nga Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri duhet të depozitojnë në llogarinë e institucionit 50 mijë lekë në vit për karburantin. 

Duke vijuar më tej se “Kjo në rast se duan ta përdorin automjetin në kohën jashtë zyrtare. Por nëse ka prej tyre të apasionuar në ngjarjen e makinës dhe nuk kanë nevojë ta përdorin atë në fundjavë, nuk e depozitojnë këtë shumë” tha kryeministri. 

Gjithashtu të drejtën e targës zyrtare do ta ketë edhe kryetari i opozitës, i cili në shumë vende në trajtimin zyrtar barazohet me një ministër, si dhe kryetari i bashkisë së qytetit, pasi bashkia e kryeqytetit në Kushtetutë është e veçantë vijoi kreu i shteti. 

“Ndërsa lidhur më zyrtarët e tjerë, në kategorinë e parë, me targë jo zyrtare janë vlerësuar deputetet e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarët e bashkive të mëdha të qarqeve. Këtyre zyrtarëve u jepet për transportin një bonus 45 mijë lekë, ku përfshihet amortizimi, karburanti. Natyrisht, mendoj se parlamentit duhet t’i lihet fleksibilitet që të mund të respektojë distancën” tha kryeministri gjatë fjalës së tij. 

Duke thënë gjithashtu se parlamenti ka një Sekretariat për buxhetin, ndaj mendoj se mesatarja të jetë kjo shumë që do t’i jepet parlamentit dhe më pas t’i lihet në diskrecion Sekretariatit ta përcaktojë, pasi nuk mund të jetë e njëjtë Tirana me Gjirokastrën, apo Tropoja me Kukësin

 “Në të gjitha vendet e botës demokratike, Kushtetutat ose ligjet detyrojnë parlamentin dhe qeveritë të marrin përsipër shpenzimet publike të transportit të deputetëve. Unë e kuptoj që mund të ketë zyrtarë që thotë se unë ndjehem në postin tim më shumë se një deputet, por e vërteta është se për ligjvënësit kanë një ligj të tillë kudo, që transporti u merret përsipër. Nuk ka ligj që t’i merret përsipër transporti një zyrtari tjetër, por për ta ka bonuse”, sqaroi Berisha. 

Në këtë grup hyjnë dhe kryetarët e bashkive të mëdha, pasi edhe ata janë të votuar bindshëm. Për kategorinë e dytë të zyrtarëve bonusi është 35 mijë lekë dhe këtu përfshihen zëvendësministrat, këshilltarët e Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesve të enteve rregullatorë, komandantët e Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtorët e Policisë dhe Shërbimit Informativ, kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të apelit deklaroi kryeministri Berisha. 

Bonusi për kategorinë e tretë është 30 mijë lekë dhe përfshin kryetaret e bashkive të tjera, drejtuesit e agjencive si ajo e pronave etj. Zyrtarët e tjerë trajtohen me 200 mijë lekë, të cilët kanë pasur veturë më tepër për traditë, përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›