E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita tek Ekonomia: Të kthehen akcizat për diskutim



nertila maho

Diskutimi i djeshëm në Komisionin e Ekonomisë fillimisht mori trajtën e falënderimeve dhe batutave për opozitën, deputetët e së cilës u futën për herë të parë në komision, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari Spaho falënderoi anëtarët prezentë dhe me të njëjtat nota i është kthyer pas urimi nga deputeti Arben Malaj. Jashtë kësaj kornize harmonie mes anëtarëve të komisionit, ajo që dukej se nuk pritej, ishte kërkesa e deputetëve socialistë, për të rikthyer për diskutim në komision ligjin për akcizat. "Duke qenë se javën e kaluar u arrit në një mirëkuptim mes Kryetares së Parlamentit dhe kryetarit të grupit tonë parlamentar, që ligji i akcizave të shtyhej për t'u diskutuar të enjten, normalisht u kërkua kohë që ky komision të bënte një diskutim me pjesëmarrjen e plotë të anëtarëve të tij. Unë mendoj që para se të shkojmë në seancë, pavarësisht se ka një relacion, për të qartësuar argumentet dhe për ta bërë më profesional diskutimin në seancë, të mund të kemi një diskutim të këtij projektligji në komision, ndoshta dhe ditën e mërkurë" u shpreh Malaj. Por ky propozim nuk gjeti mbështetjen e plotë të kryetarit Spaho, i cili shpjegoi se vendimet e kësaj natyre i merr Konferenca e Kryetarëve dhe e gjithë kjo procedurë duhet të vijë në përputhje me rregulloren. Madje, ai propozoi që diskutimet të lihen për në seancë plenare. Gjithsesi, deputeti i PS Arben Malaj këmbënguli që ky ligj të kthehej në komision për vetë rëndësinë që ka. "Kërkesa jonë për ta shtyrë këtë ligj nuk ishte që ne të bënim një seancë më të qetë javën e parë, por që realisht të ketë një diskutim më të plotë për një ligj, që sa vjen dhe merr më shumë peshë. Tatimi indirekt sa vjen dhe po bëhet pjesë më e rëndësishme e të ardhurave fiskale dhe diskutimi në Komisionin e Ekonomisë, në prani edhe të opozitës, sa herë që ato ligje vetëm e ndihmojnë diskutimin profesional" u shpreh Malaj. Në fund, çështja mbeti e hapur për mundësinë e kthimit të ligjit të akcizave edhe një herë në Komisionin e Ekonomisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›