Tre milionë lekë për të gjetur Bleonën
KUKES/ JONUZ HALLAçI
Trefishohet shuma e parave për personin që do të japë të dhëna mbi fatin e 6-vjeçares së zhdukur prej 10 ditësh, Bleona Mata. Policia e Shtetit ka çuar në 3 milionë lekë shpërblimin për këdo që ka informacion të saktë për fëmijën. Kërkimet për vajzën e mitur nga fshati Zapod i Kukësit, e humbur 500 m larg shtëpisë, janë bërë më intensive dhe në Kosovë e Maqedoni. Dosja hetimore për zhdukjen misterioze të vajzës i kaloi dje Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me pistën kryesore, atë të rrëmbimit. Në fshatin e thellë të Kukësit shkoi dje dhe kryepolici Hysni Burgaj, i cili garantoi faktin se Policia e Shtetit nuk do të ndërpresë kërkimet dhe operacionet për gjetjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Madje kërkimet në të gjitha rrugët do të vijojnë jo vetëm në Kukës, por edhe matanë kufijve. Burgaj ka shkuar në banesën e familjes Mata, bashkë me drejtues të policisë së Kukësit. Gjyshi i Bleonës në emër të familjes ka falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë për gjetjen e Bleonës, duke pohuar se ai dhe njerëzit e familjes së tij kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar për çdo informacion me policinë dhe prokurorinë.
Nga ana e tij, drejtori Burgaj tha se policia po e vlerëson maksimalisht këtë ngjarje dhe se operacionet do të vazhdojnë. “Kam marrë sot takim me Prokuroren e Përgjithshme, me shërbimin informativ dhe kërkimet do të vijojnë në të gjitha mënyrat. Ne kemi një pistë tonën të hetimit, por kjo nuk përjashton pista të tjera ku ne do të hetojmë dhe kërkojmë për Bleonën, të cilën shpresojmë ta gjejmë të gjallë dhe t’ua kthejmë familjarëve të saj. Ju duhet të kini besim tek Policia e Shtetit dhe të bashkëpunoni për çdo gjë me të”, u shpreh Burgaj, i cili ka lënë dhe numrin e tij të telefonit tek familja Mata. Duke premtuar se çdo personi që do të tregojë për gjurmët e Bleonës do t’i ruhet anonimati, kryepolici deklaroi se janë vënë në dispozicion të informatorit 3 milionë lekë. Ai ka inkurajuar Policinë e Kukësit, e cila sipas Burgajt po vepron në një terren të vështirë e të izoluar, siç është fshati Zapod. Aktualisht çështja është në duart e prokurorëve të Krimeve të Rënda, për shkak të pistës së rrëmbimit në të cilën po hetohet zhdukja e vajzës 6-vjeçare. Deri dje nuk kishte asnjë shenjë të Bleona Matës. Dhe personi i ndaluar për dëshmi të rreme nuk ka pranuar në polici se u ka thënë familjarëve të Bleonës se ai dinte diçka mbi zhdukjen e vajzës.
kukes
Një tjetër denoncim për humbjen e një vajze 4-vjeçare nga fshati Breki i komunës Topojan ka alarmuar të dielën Policinë e Shtetit dhe Policinë e Kukësit, bashkë me banorët e zonës. Ndërkohë që nuk dihet fati i Bleonës 6-vjeçare në fshatin përballë erdhi lajmi i zhdukjes së fëmijës së familjes Zyberi. Blutë e Kukësit për 12 orë kanë shpërngulur kërkimet nga Zapodi në bjeshkët e Topojanit. Qindra banorë dhe më pas forca të shumta policie kanë krehur zonën deri në orën 23:00. Ata e kanë gjetur më në fund fëmijën në gjumë, në një livadh pranë stanit të familjes. Vajza kishte humbur që në mesditë, por vetëm pasi kërkimet e familjarëve dështuan, u lajmërua policia. Fëmija kishte qenë një ditë më parë me prindërit e saj në stan dhe ditën tjetër duket kishte ndërmarrë të njëjtën rrugë, por nga lodhja dhe të qarat e kishte zënë gjumi.
Korçë, gjendet 14-vjeçarja e zhdukur
KORçE - Një 14-vjeçare nga Korça u kap në tentativë për të kaluar kufirin, 24 orë pasi prindërit kishin denoncuar zhdukjen e saj. Sh. Xh. u gjet para se të kalonte në Greqi dhe iu dorëzua familjarëve të saj. E larguar mëngjesin e së dielës vetëm me tuta nga shtëpia, 14-vjeçarja pas disa orë mungese ka alarmuar prindërit e saj. Në komisariatin e Korçës, në orët e pasdites është bërë një denoncim nga prindërit e saj, të cilët kërkuan ndihmë. Policia tha se vajza nuk pranoi të dëshmonte se ku kishte qëndruar gjatë orëve që ajo kishte munguar në shtëpi. 14-vjeçarja u gjet në qytetin e Bilishtit, ndërsa u shpreh se do të shkonte në Greqi, pasi nuk duronte dot më dhunën në familje, të ushtruar sipas saj nga i ati. g.a