E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita t’i drejtohet Kushtetueses ose Venecies

23/03/2010 Ministri Meta flet për hapësirat që mundësojnë hetimin e zgjedhjeve

“Përpjekjet për shqetësime të paqena do të ndëshkohen nga qytetarët”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar se opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit të Venecies për çështjen e hapjes së kutive. Nëse opozita nuk ndërmerr këta hapa, ai thotë se të majtët duhet të pranojë ngritjen e një task-force për hetimin e zgjedhjeve, në përbërjen e së cilës të jenë prokurorë profesionistë. Shefi i diplomacisë shprehet se mazhoranca nga ana e saj ka bërë të gjitha lëshimet e duhura, duke krijuar të gjitha mundësitë për një rol konstruktiv të opozitës për verifikimin e pretendimeve të saj. Por në opinionin e numrit dy të qeverisë opozita nuk ka për qëllim bërjen e transparencës së zgjedhjeve. Sipas tij, me lëvizjet e saj politike pakica parlamentare po luan një rol desktruktiv, që synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit. “Në rast se mendojnë se mund të marrin me dhunë pushtetin, sikurse kanë bërë thirrje, kjo është çështje e tyre. Ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë, por natyrisht që do të mbajnë edhe përgjegjësitë e tyre. Qeveria do të jetë gjithnjë e hapur, e qetë, do të respektojë ligjin dhe vazhdimisht do t’i ftojë që të marrin shumicën në komisionin që kërkuan, të marrin edhe drejtimin e tij”, - ka thënë Meta. I pyetur në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe bojkotin që opozita ka deklaruar se do të bëjë, ministri i Jashtëm ka komentuar se kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Sipas tij, aktualisht e rëndësishme është që mazhoranca ka të gjithë vullnetin pozitiv dhe konstruktiv për bërjen e transparencës së zgjedhjeve. “Absolutisht që çdo përpjekje për të krijuar shqetësime të paqena të jeni të sigurt se do ndëshkohet në radhë të parë nga vetë qytetarët shqiptarë, të cilët janë lodhur me rrëmuja dhe trazira, aq më tepër kur bëhet fjalë thjesht për karrierën e një individi që nuk njeh asnjë institucion”, - ka deklaruar Meta. Sipas tij, opozita ka pasur të gjitha mundësitë dhe hapësirat, por që nuk i ka shfrytëzuar me qëllim.

Ligji i SHISH-it

Ministri Meta ka thënë se ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror do të bëhen përmes konsultimit të ngushtë me BE-në dhe NATO-n. “Për vetë faktin që ligji aktual është i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme, që nga bërja e vendit me Kushtetutë dhe në përgjithësi me sfidat me të cilat ndeshet sot Shqipëria, por me të cilat ndeshet edhe NATO, natyrisht që ka nevojë për një rishikim. Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me BE-në, ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n, ku jemi anëtarë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›