E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita zbret në shesh: Hapni kutitë

Partitë opozitare nisën dje turin e protestave nga kryeqyteti, para zyrës së Kryeministrit Sali Berisha, ku njëzëri, kryetarë partish, qytetarë e grupe interesi kërkuan hapjen e kutive të votimit, si e vetmja mënyrë për të garantuar demokracinë në vend. Jo më kot, këtë herë, organizatorët e kësaj proteste zgjodhën që manifestimi të nisë duke kënduar himnin kombëtar, pasi siç u perifrazua më tej, arsyeja e protestës është për interesat e atdheut. Në emër të grupit parlamentar socialist dhe krerëve të partive të majta, Dule, Gjinushi, Milo, Veliaj si dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit, protesta u hap nga një prej figurave me rëndësi në selinë rozë, Pandeli Majko. Më tej, qytetarë të ndryshëm që kanë hasur shumë probleme gjatë procesit zgjedhor, por edhe ditën e zgjedhjeve, përcollën mesazhin e tyre për shkeljet që janë vënë re nga pushteti i Sali Berishës. Nga sheshi te Kryeministria, kryetari i Partisë Socialiste, ideatori i një vale protestash që do të vazhdojnë në të gjithë vendin paralajmëroi se do të protestohet në çdo shesh dhe rrugë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës, si një e drejtë që i takon si partia më e madhe në vend. "Ne duam të shohim votën tonë, duam të çlirojmë votën tonë nga presioni i shtetit të bërë njësh me pushtetin. Ky pushet nuk vendos dot për ne, sepse shumica e popullit nuk ka vendosur për të. Vala e protestës do të përhapet mbi Shqipëri, do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovranit. Kjo është hapja një sezoni protestash në çdo shesh të Shqipërisë dhe nuk do ndalemi para askujt në kërkimin e së drejtës sonë dhe e drejta jonë as nuk shitet dhe as nuk negociohet", deklaroi Rama para protestuesve.

Në përgjigje të skeptikëve, e mbi të gjitha të Kryeministrit Berisha dhe ish-aleatit të tij, Ilir Meta, Rama bëri të ditur duke e theksuar mjaft se fati i kësaj beteje nuk është në dorën e tyre, por në duart e gjithë atyre që besojnë tek e drejta.

"Me lejoni t‘ju them se fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të dalim sot këtu. Fati i kësaj beteje është në zemrat tona, fati nuk varet nga dëshira i satrapit të zgjedhjeve në Shqipëri, fati varet nga kuraja jonë për të luftuar për lirinë e votës. Fatin e kësaj beteje do ta diktojë e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli për t‘u ngritur mëkëmbë kur shkelet me këmbë", deklaroi kryesocialisti.

Sipas Edi Ramës, sot ka vetëm një arsye në Shqipëri që të mos ketë akoma zgjedhje të lira dhe arsyeja është Sali Berisha, ndaj më tej, kryetari i PS-së renditi arsyet përse Berisha nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme. "E dini se zgjedhjet kanë dalë jashtë standardeve, pse kartat nuk u bënë në kohë, pse listat kanë pasur parregullsi, pse kriminelët kanë dalë burgjeve, pse njerëzit e opozitës janë flakur përditë nga puna, pse opozita nuk hyn në Parlament. Sepse Sali Berisha, pushtetin e popullit e ka vënë në interes të familjes së tij dhe ky interes bie ndesh me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Zgjedhjet u minuan për të ricikluar interesat e familjes kryeministrore", deklaroi kryetari i selisë rozë, Edi Rama. Pjesë e akuzave të Ramës ishte edhe ish-aleati i Ilir Meta. Ai shprehu keqardhjen se si 83 mijë vota socialistësh u trafikuan djathtas për arsye se Meta i shiti për të marrë një post ministror. Më tej, ai vlerësoi rolin e opozitës, në mjaft prej reformave që janë bërë deri më sot e që përmenden edhe në raportet e ndërkombëtarëve. "Ne jemi saktësisht po ata që dhamë gjithë energjinë tonë pozitive për të pasur më në fund një Shqipëri ku vota hidhet dhe numërohet po aq lirisht sa në çdo vend anëtar të BE dhe NATO. Por ne jemi sot në protesta, jemi ata që kërkojmë një politikë të re shqiptare, për ata që besojnë se Shqipëria europiane është një amanet i vjetër që duhet përmbushur", shtoi lideri i selisë rozë. Duke premtuar protesta të fuqishme në të gjithë vendin, Rama theksoi edhe një herë se zgjedhjet e 28 qershorit nuk mund të shiten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›