Ju rrëfej misionin sekret në Beograd pas divorcit me Titon
...Vijon nga numri i kaluarNë numrin e kaluar gazeta botoi pjesën e parë të rrëfimit të Agllaia Zoto dhënë për emisionin “Histori me zhurmues” të TV Klan. Historia e rrallë e 84 -vjeçares nga Himara zë fill që ditët e para të lëvizjes antifashiste dhe përshkruan tërë periudhën e regjimit komunist. Ish partizania e çetës së Bregut, duke iu rikthyer jetëshkrimit të saj, dëshmon për herë të parë rrethanat misterioze në të cilat u pushkatua Ramize Gjebrea, njëra nga shoqet e ngushta të viteve të luftës. “Atë e pushkatuan nga mbrapa, pa i komunikuar vendimin e gjyqit”, kujton ajo. Ndërkaq, sjell mbresat e veta nga ditët e studimeve në Beograd, ku shkoi me interesimin e Enverit bashkë me 500 të tjerë. Në vijim, Agllai Zoto rrëfen se çfarë ndodhi pas divorcit me Titon dhe peripecitë e studentëve shqiptarë që mbetën në Jugosllavi...UDB-ja më në fund e bëri detyrën e saj. Na kapi duke propaganduar tradhtinë e Titos dhe na futi në burgun e Prishtinës. Për të shkuar deri te qelia që na kishin caktuar kaluam nëpër një korridor të ngushtë. Përpara na printe një kapter me fener në dorë. Në të dyja krahët e korridorit dalloheshin qelitë e ngushta. Brenda tyre kishte kundërshtarë të regjimit. E gjitha kjo ishte në katin e katërt nën dhe. Duke ecur, duke ecur arritëm te qelia 307. “Këtu është varri juaj” na tha polici që na tregoi portën dhe pastaj vazhdoi “Kush ka hyrë këtu nuk ka dalë i gjallë”. Sakaq mbylli derën, i vuri çelësin dhe u largua. I hodhëm qelisë një sy rreth e qark. Ajo ishte gati një metër e gjysmë katror dhe shumë e ulët. Unë isha 1.70 e gjatë, ndërsa Shpresa rreth 1.80cm. Pra, nuk mund të shtriheshim lirshëm. Po jo vetëm kaq. Aty nuk kishte as dyshek, as batanije, as një kuvertë, madje as kashtë. Një moment, Shpresa më përqafoi dhe ashtu siç ishim u kumbisëm dhe na zuri gjumi. Kur u zgjuam Shpresa më tha: - të paktën të kishim një trung ku të vinim kokën dhe një karton për dyshek. Ishin kushte tmerrësisht të këqija. Brenda kishim vetëm një shishe ujë për të pirë dhe për tu larë dhe një kovë për nevojat personale. Ushqimi ishte mizerje. I gjithi ishte vetëm një kothere bukë që me sa dukej u mbetej ushtarëve. Sakaq aty na rrihnin dhe na torturonin si kafshë. Na qëllonin me shqelma, me grushte deri sa mbeteshim pa frymë. E gjithë këmbëngulja e tyre kishte të bënte me interesimin se kush na shtynte në veprimtarinë antijugosllave, kërkonin të dinin mënyrën e organizimit etj. Një ditë erdhi te ne një xhuxh dhe në shqip na u drejtua: Sot për ju kam një lajm të mirë dhe një dhuratë të madhe”. “Pse shqiptar je more maskara?” - iu drejtua Shpresa disi e habitur. Ai na kishte ardhur në qeli edhe më parë po në të gjitha rastet komunikonte me ne në serbisht. Si ndenji pak, xhuxhi u kthye nga Shpresa duke ju përgjigjur: “Po, shqiptar jam, shqiptar nga Kosova”. Si ndenji disa çaste përballë nesh, na afroi te dera e qelisë dhe na tregoi portën në fund të korridorit. “Shkoni atje , tha dhe zhdukuni, zhdukuni sa më parë!”. “Si të zhdukemi?” i thamë ne në një zë. “Dëgjoni mua, shtoi ai shkoni atje dhe ikni, zhdukuni...” Për një moment na u duk diçka provokuese, por këmbëngulja e tij na bindi dhe shkuam. Këmbë pas këmbe dolëm jashtë, ashtu të tronditura. Te trotuari në hyrje të rrugës pamë një njeri si të hutuar që nga mënyra si sillej të linte të kuptoje se nuk ishte normal. Ju afruam kur ç’të shikonim. Ishte një shoku ynë Kasëm Demi, një prej bashkëstudentëve shqiptar, një djalë çam me një paraqitje të bukur. Edhe ai si dukej paskësh patur fatin tonë...Edhe ai kishte qenë student në Jugosllavi...Edhe ai aty kishte qenë, por e kishin kapur dhe e kishin burgosur duke e torturuar. Gjatë torturave kishte pësuar tronditje të fortë psikike. Teksa mundoheshim të komunikonim me Kasemin, para nesh qëndroi një karrocë plehrash me një kalë rakitik dhe një të moshuar mbi të. Donim nuk donim hipëm në të, dhe morëm rrugën nëpër kodra e lugina deri sa mbërritëm në kufirin serbo-shqiptar. Sa mbërritëm aty erdhën ushtarët e postës së kufirit. I pari që u afrua në drejtimin tonë ishte një oficer trupmadh. Ai në fillim ndaloi pranë meje dhe si më vështroi me vëmendje, m’u drejtua: “Mos je Agllaia Zoto ti?”. “Po, i thashë dhe pasi i tregova gjithë historinë i kërkova të na niste sa më shpejt për në Tiranë...Pra, komandanti i postës ju njohu...Me të kishim qenë bashkë më vitet e luftës. Ai kishte qenë përgjegjës i një pjese të vogël të zonës së Mesaplikut. Hasan e quanin. Mbiemri nuk më kujtohet...U nisët për në Tiranë...Po atë ditë u nisëm dhe mbërritëm në Tiranë. E mori vesh dhe Enver Hoxha që u kthyem. Ishte bërë zhurmë e madhe historia jonë. Veçanërisht Ministria e Jashtme kishte nisur një aksion të gjerë me nota verbale dhe kërkesa të njëpasnjëshme për Beogradin. Në Shqipëri diheshim të zhdukur. Bile, as daja im, që ishte ambasador nuk dinte gjë për fatin tonë. Sa mbërritëm më thirri Enver Hoxha. “Agllai, më tha, kishim edhe ne një pjesë faji, por nuk kishim cfarë të bënim. Duhej patjetër që një pjesë të qëndronte aty dhe të bënte atë punë që bëtë ju. Sidoqoftë, gjërat tani do të rregullohen dhe ju do të vazhdoni studimet. Ti do të shkosh me studime në Sofje në Bullgari meqë ke dhe dajon aty Ambasador. (Në atë kohë daja im, Vasil Konomi ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Bullgari). Ashtu u bë. Unë shkova për studime për shkenca juridike, ekonomike. Të tjerët jo për histori, mjekësi etj...Në vitin 50 mbaruat studimet në Bullgari dhe filluat të ngjisnin shkallët e karrierës deri në nivelin e prokurores...Sa u ktheva në Tiranë me diplomën e juristes, më thirri Bilbil Klosi. Me të kishim qenë shokë lufte. Ai më mori në Ministrinë e Drejtësisë dhe më emëroi drejtoreshë të sektorit juridik të dikasterit të tij. Ishte një punë jo e keqe, por të them të drejtën unë nuk gjeja rehat dhe më dukej se vegjetoja pa ndonjë përgjegjësi. Kisha pasion funksionin e prokurorit dhe shkova te Manush Myftiu dhe Hysni Kapua duke u kërkuar të ushtroja këtë detyrë. Më pyetën pse këmbëngulja për tu bërë prokurore. U shpjegova se gjatë luftës kam parë ballistë që bashkëpunuan nga afër me pushtuesin dhe kërkoja t’i vija para drejtësisë për t’u treguar vendin. Ata e panë që unë isha e vendosur dhe i telefonuan Aranit çelës duke i thënë që të më sistemonte me detyrën e prokurores. Me Aranitin njihesha që në vitet e luftës. Që në kontaktin e parë Araniti më sqaroi se nuk mund të më bënte prokurore në qytet për tu futur në dhoma të parandalimit e për tu marrë me lloj lloj kriminelësh të rrezikshëm. “Unë ty do të dërgoj në Veri, më tha Araniti. Aty ku armiku hedh diversant që të sabotojë popullin. Do shkosh, tha me Enver Rexhën që është hetuesi më i shquar i Ministrisë së Brendshme. Puna juaj do të përqendrohet me hetimin e diversantëve të kapur. Pastaj kur të përpilonin aktakuzën e tyre do t’i bini në Tiranë. Kështu vazhdova një vit si hetuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Në vazhdim me insistimin tim më bënë Prokurore të Tiranës...çfarë ngjarjesh mbani mend nga koha kur kryenit detyrën e hetueses ndaj diversantëve dhe pjesëtarëve të bandave që operonin në Veri?Ajo që desha të veçoj ka të bëjë me faktin se të gjithë këta misionarë që vinin nga jashtë e zbarkonin si diversant ishin shqiptarë. Më kujtohet se me ta hetuesi me të cilin punoja sillej shumë keq. Ai nevrikosej jashtë mase, i rrihte me grushte e shkelma, i qëllonte sa kishte fuqi duke i lënë shumë herë pa frymë për toke. Shpesh herë i ndërhyja duke i thënë: Mos kështu se do na mbeten në dorë dhe do ndëshkohemi ne. “Kështu e meritojnë se janë armiq, sabotatorë”, më thoshte me një bindje të padiskutueshme ai...Ndërkaq, keni drejtuar shumë seanca gjyqësore si Prokurore në Tiranë...Kam drejtuar vërtetë shumë seanca gjyqësore në Tiranë për raste vjedhjesh, abuzimesh, sabotimesh, rrahjesh, por asnjëherë çështje të karakterit ushtarak. Këto të fundit i trajtonte Gjykata Ushtarake e cila jepte dhe dënimet kapitale... Pse jeni rikthyer në Sofje në vitin 58?Ofertën për të shkuar në Bullgari ma bëri Enveri. Ai më thirri një ditë dhe më tha se duhej të merrja nënë Uraninë që ishte sëmurë dhe të shkoja në Bullgari për ta kuruar. Interesimi i tij për nënën time, të them të drejtën më gëzonte jo pak. Kështu, një ditë të bukur bashkë Uraninë mbërritëm në Sofje. Sa u sistemuam në hotel, i thashë nënës të pushonte dhe vet dola për të shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme për të takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe kolegët e mi. Godina e saj në atë kohë ishte një nga pallatet më të bukura të Evropës. Për ndërtimin e saj kane punuar 4000 veta për 40 vjet me radhë. Ajo është ndërtuar që në fillim për pallat drejtësie dhe ka salla gjyqi madhështore. Hipa në katin e katërt dhe trokita te zura e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo më priti me gëzim të madhe. “Po ku je moj Shqiponjë?” më tha që në kontaktin e parë. Gjatë studimeve në Sofje më thërrisnin “Shqiponjë” me që isha nga Shqipëria dhe ajo njihej atëherë si vendi i shqiponjave. Aty për aty i shpjegova se pse ndodhesha në Bullgari. Gjatë bisedës ai më tha se ishte duke u zhvilluar një simpozium ndërkombëtar për drejtësinë. Sakaq, shtoi se meqë nuk kishte përfaqësues nga Shqipëria do të ishte mirë që unë të merrja pjesë në të. E pranova me kënaqësi ofertën, por shtova se nuk mund ta merrja këtë përgjegjësi pa u marrë vesh me Ambasadën tonë në Sofje. Ai më shpjegoi se ambasadorin shqiptar e kishte mik dhe aty për aty ngriti telefonin dhe mori Vasil Konomin. Ky i fundit, sa mori vesh për kë bëhej fjalë, ia ktheu me qesëndi: Paska ardhur çamarrokja më parë te Prokurori i Përgjithshëm dhe daja i saj nuk di gjë?! Vasili shpjegoi se duhej të shkoja në ambasadë për të marrë porositë e rastit. Ashtu bëra. Për pak çaste u ndava me kreun e prokurorisë dhe zbrita në katin tjetër për tu takuar me prokurorin me të cilin kisha bërë praktikën gjyqësore gjatë viteve të shkollës. Atë e quanin Angjelov. Trokita në portën e zyrës dhe çuditërisht në karrigen e tij pashë një tjetër prokuror. Ishte Dhimitër Zdravçev, një nga të njohurit e tjerë të viteve të shkollës. Sa më pa, më takoi me përzemërsi dhe filloi të citojë disa fragmente nga vjersha e Kristobotievit, poetit më të madh bullgar me famë botërore. Biseduam disa çaste në këmbë. Pastaj më ftoi për një kafe në qytet. E falënderova për ftesën duke i treguar se nuk kisha mundësi, pasi në hotel më priste nëna. Aty për aty më propozoi të më shoqëronte dhe u nisëm bashkë. Kur shkuam aty, nënë Urania sa e pa u vrenjt në fytyrë. Pak a shumë e dija çfarë mendonte, por se do të reagonte ashtu nuk më shkonte mëndja. Dhimitri diçka kuptoi, por nuk mund ti shkonte mëndja te fanatizmi i nënës time. Gjithsesi, pas pesë minutash na përshëndeti dhe u largua. Para se të ikte e lamë që të nesërmen të shkonim bashkë në senaturium dhe kështu bëmë. Për 20 ditë që qëndruam në Bullgari, unë gjeta mbështetjen dhe miqësinë e Dhimitrit. Ai erdhi dhe në momentin kur do të niseshim për në Shqipëri. Kishte me vete dy kuti dhuratash, një për nënë Uraninë me një buqetë me lule të bardha si thinjat e saj dhe një për mua me tridhjetë trëndafila të kuq. Kur do ikte më vuri buqetën e karafilave në duar dhe më puthi në faqe. Kjo ja shtoi dhe më shumë dyshimin nënës time e cila sa u largua Dhimitri m’u kthye qortueshëm:”Ti bija ime, nuk do ti thuash gjë nënës tënde?” Pastaj kërkoi të mësonte diçka më shumë për atë që ajo e quante simpatizanti im, duke më kujtuar për të hapur pakon që më kishte dhuruar. E hapa gjithë kërshëri dhe vura para saj të gjitha suveniret e Dhimitrit, një varëse, një unazë dhe byzylykun vezullues. Nënë Urania, u hodhi një sy kalimthi dhe u kthye nga unë: Pse nuk thua se ky Dhimitri ti ka hedhur zinxhirët!...Më në fund u kthyet në Tiranë...Qysh në Rinas na u rezervua një pritje e ngrohtë. Kishin dalë për të na pritur mjaft miq e të afërm. Midis tyre dhe dy nga kandidatët që kishin kërkuar të martoheshin me mua. Deri atëherë nuk kisha prerë fjalën me asnjërin, por ata vazhdonin në këmbënguljen e vet. Të nesërmen e zbritjes në Tiranë fillova punë në prokurori...Të rikthehemi te historia me Dhimitrin e Bullgarisë. Gjithçka u mbyll me dhuratën e asaj dite përcjelljeje...Përkundrazi, ajo ishte faqja e parë e historisë me të. Një ditë teksa isha në zyrë, Dhimitri më telefonoi nga Zvicra dhe më tha se do të vinte në Tiranë dhe kërkonte të më takonte për një çështje të rëndësishme. “Si thua, më pranon?”, pyeti ai. “Si jo, me gjithë qejf!”, iu përgjigja. Tanimë Dhimitri ishte shfaqur i plotë në ofertën e tij. Rrugëtimi në Shqipëri me sa dukej do ta zbulonte përfundimisht atë. Po si do ta rregulloja me nënë Uraninë?! Nejse. Shkova në shtëpi. Në atë kohë banonim te “Ali Demi” bashkë me njërin nga vëllezërit. I tregova Uranisë mesazhin e telefonit të Dhimitrit. Avioni do vinte të nesërmen në orën 10. Në mbrëmje lajmërova dy mikeshat e mia, Liri Gjolikun dhe Violeta Manushin dhe bashkë me to dolëm për ta pritur Dhimitrin në aeroport. Të nesërmen ai më tha se donte të takonte Enver Hoxhën. Bisedova me sekretarin e Presidentit, një ish partizan nga Qeparoi dhe me ndërhyrjen e tij takimi u realizua. Enveri e priti në zyrë dhe bisedoi me të rreth gjysmë ore. Gjatë kësaj kohe ne e prisnim jashtë. Kur doli dukej i qeshur. Sa u afrua, mu drejtua me një ton emocional: “Agllaia! Nëse ti në prani të këtyre njerëzve më thua “po”, unë bëhem njeriu më i lumtur i botës”. Më vonë Dhimtri më shpjegoi gjerë e gjatë si kishte rrjedhur takimi me Enverin. Qysh në fillim Enveri e kishte pyetur gjithë kërshëri: çfarë u solli te ne, bukuria e Shqipërisë apo bukuria e Agllaisë?! “Bukuria e të dyjave” ishte përgjigjur Dhimitri duke i treguar arsyen e vërtetë. Pas dy tre ditësh, kur ai ishte larguar më thirri Enveri dhe më tha se i kishte shkuar në zyrë një bullgar dhe i kishte kërkuar dorën për mua... Sepse në atë kohë...Sepse në atë kohë ligji e ndalonte martesën e kuadrove të lartë me të huajt...Pra Byroja Politike mori vendimin që ju të martoheshit me bullgarin Dhimitër Zdravçev...E tillë ishte koha atëherë. E keqja në këtë rast nuk ishte te pëlqimi i Byrosë Politike, por te hezitimi i nënë Uranisë, e cila nuk e miratoi asnjëherë këtë martesë. Ajo nuk ma dha asnjëherë bekimin që japin nënat për martesat e vajzave. Sipas saj, një martesë me të huajt, të bënte të huaj për Shqipërinë. Tërë jetën e pata brengë që nuk e mora bekimin e nënë Uranisë...Pra, shkuat e krijuat familje në Bullgari...Aty fillimisht isha e nderuar, kisha lavdi, pushtet, ndjehesha e lumtur...Punuat në profesionin tuaj aty...Në Sofje punova prokurore Qarku. Pastaj më bënë Prokurore të Përgjithshme dhe më së fundi më emëruan zëvendësministre. Sidoqoftë, gjërat nuk do shkonin mirë deri në fund. Një ditë më thirri Presidenti i Bullgarisë Teodor Zhivkov dhe më tërhoqi vëmendjen:”Ti Agllai, më tha, ke deklaruar se diktatura jonë ja kalon dhe asaj të fashizmit. E pakënaqur je ti? ç’të të të dhurojë më shumë Partia jonë? Po vazhdove kështu, do të ta presim gjuhën!”. Kaq ishte goditja e parë. Pas saj do vinte rrebeshi, përndjekja, drama...Pra ju kishit folur dhe kishit denoncuar fenomenet që vinit re në realitetin bullgar...Kisha konstatuar mjaft shfaqje të shëmtuara gjatë ushtrimit të detyrës. Veçanërisht kisha prekur korrupsionin e gjykatave. Vajzat që mbaronin studimet e juridikut dhe aplikonin për punë, përgjegjësit e gjykatave kërkonin t’i kalonin një herë në duart e tyre pastaj t’i emëronin në detyrë. Tjetër: Sipas ligjit të asaj kohe dënohej njëlloj si mendimi dhe veprimi, gjë që nuk ekzistonte në asnjë nga vendet diktatoriale. Po kështu, autoritetet nuk u jepnin qytetarëve të thjeshtë pasaportë për të dalë jashtë shtetit që të takoheshin me të afërmit e tyre. Pra, një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut...Të rikthehemi te takimi me Zhivkovin, çfarë ndodhi më tej në komunikimin e asaj dite me të?President Zivkovi më kërkoi teserën e Parisë, por unë kundërshtova dhe i thashë se do ta dorëzoja ku e kisha marrë. Po atë ditë më thirrën në Komitetin e Partisë dhe më kërkuan të njëjtën gjë duke m’u hakërryer me fjalë nga më të çuditshmet “armike e popullit”, “e padëshirueshme”, “e rrezikshme” etj.E pa dëshirueshme dhe e rrezikshme nuk jam unë, u thashë, por juve që keni devijuar nga premtimet që i keni dhënë popullit gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në fillimet e pushtetit popullor. Ju e keni kthyer sistemin, të tmerrshëm, agresiv dhe brutal më keq se fashizmi. Hodha teserën e partisë mbi tavolinë dhe u largova e indinjuar...vijon nesër...