Bosh e Withers mbështesin pa rezerva tryezën e Presidentit Topi
Ambasadorët u bëjnë thirrje Ramës e Berishës për gjetjen e zgjidhjes
Eljona Ballhysa
Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Ambasada Amerikane, nëpërmjet një deklarate për shtyp, kanë vlerësuar maksimalisht mbajtjen e një tryeze dialogu për zgjidhjen e krizës politike nga Presidenti Topi. Dy ambasadorët, Robert Bosh i OSBE-së dhe John Withersi Ambasadës së SHBA-ve, kanë mbështetur pa rezerva nismën e kreut të shtetit duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për gjetjen pa vonesa të mëtejshme të një zgjidhjeje për të kapërcyer ngërçin aktual politik. Dy ambasadorët kanë qenë prej kohësh pjesë e negociatave mes dy partive politike në vend, ndërsa kanë bërë thirrje për vendosjen e dialogut institucional. Ata e kanë cilësuar të gabuar bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës, ndërsa i kanë kujtuar maxhorancës se duhen dy palë për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që vendi të kapërcejë krizën politike. Përpjekja e këtyre ambasadorëve, por edhe e ambasadorëve të tjerë, bëri të mundur që politikanët të bien dakord për t’u ulur në një tryezë bisedimesh të organizuar nga Presidenti Topi.
Vlerësimet
Në deklaratat e tyre, si OSBE-ja, ashtu dhe Ambasada e SHBA-ve vlerësojnë si shumë të rëndësishme mbajtjen e tryezës së bisedimeve mes Topit, Berishës e Ramës ditën e shtunë, në Presidencë. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Edhe ambasadori Withers ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e kreut të shtetit për organizimin e kësaj tryeze dialogu. /Witherse konsideron këtë tryezë një mundësi që u jepet politikanëve për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe të Këshillit të Europës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës, që do të fillojë më 13 shkurt. Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”, - është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë.
Negociatat
Në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, Diplomacia ndërkombëtare ndërmori një tur takimesh të koordinuara për të zgjidhur krizën e rëndë politike në vend. Në përpjekje për të ulur palët, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme politike dhe për t’i nxjerrë nga qorrsokaku ku janë futur, ambasadorët Withers, Lohan, Montobio e Bosh zhvilluan një sërë takimesh të rëndësishme me aktorët politikë shqiptarë. Ambasadorët zhvilluan takime me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Pikërisht intensifikimi i presionit ndërkombëtar bëri të mundur uljen e toneve të ashpra nga të dyja kampet e politikës dhe konkretizimin e dialogut nëpërmjet tryezës që do të mbahet ditën e shtunë më 13 shkurt.
Robert Bosh
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual”.
John Withers
“Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”.
11 Shkurt 2010