E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opus Dei lejon regjisorin të studiojë dokumentet sekrete

Kineasti britanik, Roland Xhofe, i cili u vendos në qendër të vëmendjes së publikut me dramën fetare "Misioni", film mbi një grup jezuitësh në xhunglën braziliane, po përgatitet të realizojë një film mbi një kapitull edhe më të përfolur të historisë së katolicizmit: organizatën Opus Dei. Xhofe ka ndër mend të sjellë në vëmendjen e publikut jetën dhe mrekullitë e Hoze Maria Eskriva de Balager, priftit spanjoll që themeloi një prej organizatave më sekrete dhe të pushtetshme brenda kishës katolike. Pritet që filmi të shkaktojë edhe më shumë kundërshti, ndërsa vjen pas një serie prodhimesh, me histori të frymëzuara nga krime e konspiracione të frymëzuara prej Opus Deit, që kanë ngacmuar kureshtjen e publikut.

Organizata e dënoi me forcë librin "Kodi Da Vinçi" në vitin 2006, ashtu si edhe vazhdimin e tij, "Engjëj e Demonë", që aktualisht është në krye të listave të bestsellerëve. Pjesëtarëve të Opus Deit iu ndalua të shihnin filmin e vitit 2008 "Kamino" të autorit Havier Feser, mbi kultin e vuajtjes.

Në të kundërt filmi "Dragonjtë" i Roland Xhofe ka marrë të gjitha bekimet nga Opus Dei. "Ekipi realizues i filmit na kërkoi ndihmë në grumbullimin e informacioneve dhe ne u dhamë akses te dokumentacioni ynë. Ky është fillimi dhe fundi i bashkëpunimit tonë në film", thotë Luis Gordon, ish-përgjegjësi i marrëdhënieve me shtypin në Opus Dei. Vetë organizata i hedh poshtë zërat se ka derdhur fonde për realizimin e filmit.

Subjekti nis në ditët e sotme, në çastin kur një gazetar i ri nga Londra vendos të vizitojë të atin, i cili po jeton ditët e fundit të jetës në Spanjë. Rastësisht gazetari nis të investigojë mbi një mik të vjetër të të atit, një prift që tashmë ka vdekur, i cili është kandidat për t‘u shenjtëruar.

Ngjarja zgjatet me zigzage në dhunën dhe urrejtjen e Luftës Civile në Spanjë dhe kalon përtej Pirenejve, në Francë, teksa gazetari zbulon fijet e ngatërruara që lidhin dy burrat që prej fëmijërisë. Një artikull i së përditshmes spanjolle "El Pais" e përshkruan filmin si "një dramë plot pasion, tradhti, dashuri e besim fetar... ku zbulohet rëndësia dhe forca e përjetshme e faljes".

Bashkëprodhimi argjentinas spanjoll dhe amerikan do të xhirohet gjatë muajve të ardhshëm në Luhan të Argjentinës, vend pelegrinazhi, si edhe në Spanjë. Në rolin kryesor do të luajnë aktori britanik Çarli Koks, i cili ka punuar në Spanjë me regjisorin vendas Visente Arada.

Filmi fokusohet në vitet e hershme të jetës së Hoze Maria Eskriva de Balager, gjatë viteve tridhjetë, gjë që nga kritikët konsiderohet si përpjekje për të mbajtur jashtë vëmendjes së publikut ngritjen e Eskrivës gjatë epokës së Frankos. "Ky është një film propagandistik i shkruar dhe i mbikëqyrur nga Opus Dei, në një përpjekje të dëshpëruar për të pastruar imazhin e njollosur në sytë e opinionit publik", shkruhet në një blog anti-Opus Dei ,i krijuar nga ish-anëtarë të kësaj organizate, një prej të cilëve vëren se "u dominuam mendërisht dhe shpirtërisht prej saj".

Projekti për filmin mbi Eskrivën qarkullon prej kohësh mes kineastëve spanjollë, i pezulluar më së shumti prej pamundësisë për të gjetur një aktor të përshtatshëm për rolin kryesor. Kolin Farrel dhe argjentinasi Huan Diego Boto janë mes atyre që e kanë kaluar nëpër duar skenarin.

Hoze Maria Eskriva de Balager ka lindur në verilindje të Spanjës në vitin 1902, bir i një dyqanxhiu aragonez. Ai studioi për t‘u bërë prift dhe u vendos në Madrid, ku, në vitin 1928, themeloi edhe sektin Opus Dei, një organizatë e fshehtë që i nxit individët të arrijnë shenjtërimin përmes punës dhe jetës së përditshme. Fitoi influencë të konsiderueshme gjatë diktaturës së Frankos dhe gëzon ende mbështetje të gjerë në establishmentin politik dhe ekonomik të Spanjës. Ndodh rrallë që pjesëtarët e saj të pranojnë zyrtarisht se janë pjesë e organizatës dhe praktikat e ritet e tyre mesjetare mbeten një mister më vete.

Kur Eskriva vdiq në Romë në vitin 1975, peshkopët nga e gjithë bota kërkuan kanunizimin e tij, gjë që u bë më në fund në vitin 2002 nga Papa Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë. Roland Xhofe kërkon prej kohësh të realizojë një film mbi Hoze Maria Eskriva de Balager. Ai është shprehur në disa raste se ky ishte një prej "projekteve të tij të mëdha", bashkë me një film mbi jetën e spiunes së famshme Mata Hari.

Opus Dei

U themelua nga kleriku i lartë spanjoll Monsinjor Hose Maria Eskriva de Balaguer, në vitin 1928 dhe në terma politikë mund të përkufizohet si skaji i djathtë i kishës katolike, pozicionim që i ka krijuar sa miq, aq edhe armiq. Mes anëtarëve të saj, përqindja e priftërinjve është shumë e ulët dhe ekziston prirja e fortë që të tërhiqen në Opus Dei eksponentët laikë më në zë të të gjitha fushave të jetës e të shkencës. Menjëherë pas themelimit, ideali i gjetjes së shenjtërisë te jeta e përditshme, tërhoqi një numër të konsiderueshëm njerëzish, të kategorive shoqërore e profesioneve të ndryshme, por mbi të gjitha të shtresave të ngritura, njerëz që mbulonin funksione të rëndësishme në botën e industrisë e të financës, të vendosur të dëshmonin përkushtimin total ndaj besimit, por pa u shkëputur nga jeta e përditshme (një koncept që gjendet mes formave të shprehjes së besimit të Vatikanit).

Që nga dalja në skenë në vitin 1928, "Vepra e Zotit" (kështu përkthehet nga latinishtja) ia doli të grumbullonte pasuri përrallore (shifra zyrtare vërtitet te 2.8 miliardë dollarë, por për skeptikët kjo është vetëm maja e ajsbergut). Madje mbuloi edhe një pjesë të mirë (30%) të shpenzimeve të Vatikanit pas rrënimit financiar që pësoi kisha katolike për shkak të skandalit bankar të viteve ‘80. Monsinjor Josemaria Escriva ishte i gatshëm të ofronte shumë më tepër para, aq sa të merrte përsipër pjesën më të madhe të shpenzimeve që duheshin për të anashkaluar krizën. Por këtë e kërkonte në këmbim të dhënies nga ana e Papës të prelaturës personale, një status i veçantë që e lë jashtë hierarkisë së kishës katolike. Një gjë e tillë nuk iu lejua nga Papa Pali VI, i cili kishte mjaft rezerva mbi organizatën dhe mbi themeluesin e saj Monsinjor Hose Maria Eskriva, duke e refuzuar me shumë mirësjellje ofertën.

Me Papën Gjon Pali II organizata njohu edhe shkëlqimin më të madh. Një prej veprimeve të para që kreu pas zgjedhjes ishte vizita në varrin e Monsinjor Hose Maria Eskriva. Më pas i lejoi marrjen e statusit të prelaturës personale, gjë që do të thoshte se Opus Dei mund të anashkalonte çdo lloj shkalle hierarkike kishtare, duke u përgjigjur vetëm përpara Papës e Zotit. Për shumë nga kritikët brenda Vatikanit dhënia e këtij statusi në fund rezultoi veprim që iu kthye kundër vetë kishës katolike, duke qenë se që nga viti 1982 nuk është më nën juridiksionin e strukturës botërore të peshkopatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›