Spanjë, mbyten 21 emigrantë nga Afrika e Veriut
Të paktën 21 emigrantë nga Afrika e Veriut, pjesa më e madhe e të cilëve ishin fëmijë, u mbytën përpara syve të plazhistëve, pasi varka me të cilën po udhëtonin u mbyt vetëm disa metra larg një plazhi në Ishujt Kanarie, njoftuan shërbimet e rasteve emergjente. Personat që ndodheshin në plazh u përpoqën dje të arrinin imigrantët, të cilët po mbyteshin në ujërat e trazuara përpara se të mbërrinin anijet e rojave bregdetare në vendngjarje afro 20 metra larg plazhit Cocoteros të qytetit Teguise në Lanzarote, deklaroi një zëdhënës i shërbimeve të rasteve emergjente.
Gjashtë persona u shpëtuan, por rojat bregdetare gjetën sot trupat e 18 personave. Ato po përpiqen të nxjerrin gjithashtu trupat e tre personave të tjerëve. Shërbimet e rasteve emergjente shprehen se varka mund të transportonte 28 persona, përfshi disa nën moshën 18-vjeç, por zëdhënësi nuk mund të konfirmonte njoftimet e medias se disa të mbijetuar janë larguar pasi arritën të dilnin në plazh. Autoritetet spanjolle përpiqen zakonisht të dëbojnë imigrantët që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme nga deti, zakonisht nga Afrika Perëndimore por edhe nga Maroku.